Një gjykatë në Britaninë e Madhe ka shpallur sot falimentimin e ish-tenistit gjerman Boris Becker, që deri në dhjetorin e vitit të kaluar ishte trajneri i serbit Novak Djokovic. Becker është fitues i 6 grand slemeve në karrierën e tij, por në vitin 2015 ka marrë një kredi prej 6 milionë eurosh në një bankë në Londër, të cilën nuk e ka shlyer.

Për pasojë, çështja ka përfunduar në gjyq dhe gjykata e Londrës ka deklaruar sot falimentimin e ish-tenistit. Edhe pse avokatët e tenistit kërkuan një shtyrje të pagesës, duke vënë në hipotekë një vilë në pronësi të tenistit në Majorka, gjykatësja e çështjes vendosi të deklarojë falimentimin e Becker.

“Më vjen keq për këtë vendim, por nuk ka prova të mjaftueshme për të garantuar pagesën e kësaj huaje të marrë. Është e rrallë që një profesionist nuk shlyen borxhin pas dy vitesh. Kam përshtypjen se jam para një njeriu që e ka zhytur kokën në rërë për të mos parë problemet e tij”, tha gjykatësja në momentin që mori vendimin. Kështu, për të shlyer borxhet, Boris Becker do t’i duhet të rinisë sërish punën e trajnerit, ndoshta duke patur po aq fat sa me Djokovic, me të cilin fitoi 6 grand sleme, por palët u ndanë me konsensus dhjetorin e kaluar.