Ka shkuar në 200 numri i personave të prekur nga virusi “norovirus”, që ka goditur që në ditët e para pjesëmarrësit në Lojërat Olimpike “Pyengchang 2018”. Por këtë herë, të prekur nga virusi janë edhe dy sportistë zviceravë të disiplinës “freestyle”, të cilët kanë patur simptomat e të vjellave, diarre dhe temperaturë.

Dy sportistët janë izoluar, ndërkohë që nuk ka patur asnjë problem për pjesën tjetër të delegacionit zviceran që ndodhet në Olimpiadë. Dy sportistët zviceranë, emrat e të cilëve nuk janë bërë me dije, janë izoluar në dhoma të veçanta në mjedisin spitalor të Fshatit Olimpik dhe i janë nënshtruar kujdesit mjekësor, pa patur asnjë kontakt me persona të tjerë.

Kjo është hera e parë gjatë kësaj Olimpiade që preken nga virusi, aspak i dëmshëm për shëndetin, dy sportistë, pasi deri më tani “viktima” kanë qenë punonjës sigurie dhe të mirëmbajtjes. Shefi i delegacionit zviceran tha se skuadra vijon normalisht stërvitjen dhe garat.