Shkolla e mesme sportive "Benardina Qerraxhia" në Durrës ka organizuar "Javën Olimpike". Nxënësit e kësaj shkolle kanë zhvilluar nga data 3-6 prill aktivitete në volejboll, basketboll, futboll dhe atletikë. Qëllimi i "Javës Olimpike" në sport është të largojë fëmijët nga veset e këqija, që të kalojnë sa më shumë orë të lira në mënyra të shëndetshme.

"Java Olimpike" është mbyllur të premten me garat e atletikës. Në të gjitha disiplinat e mbretëreshës së sporteve nxënësit e shkollës së mesme sportive "Benardina Qerraxhia" në Durrës kanë nxjerrë fituesit.

Në 100 m për femra Megi Buci e Mario Rusi për djem, në 1500 m, për djem Artur Tafaj e për vajza Elsuida Liça, në shtizë dhe gjyle Ingri Nelaj, në kërcim 3-hapsh, Naze Thomaj dhe Eveluno Toçi, në kërcim së gjati Petrite Meçanaj dhe Syrgen Shala.

Jo më kot ishte zgjedhur atletika për mbylljen e këtij aktiviteti për vetë larminë e garave që mbart. Vetë nxënësit protagonistët theksojnë se "Java Olimpike" është një aktivitet i bukur që i nxit ata të luajnë sa më shumë në hapësirat kohore që iu krijohen.

Garat e atletikës i ka ndjekur edhe deputeti i Partisë Socialiste për Durrësin, Fidel Ylli, një figurë e njohur e sportit shqiptar. Në tri ditët e para të aktivitetit janë shpallur klasat fituese në volejboll e 13D, në futboll e 11B dhe në basketboll Red tim.