Ka mjaftuar një gol i Donald Rapos në pjesën e parë, që Luftëtari të marrë 3 pikët ndaj Teutës, ndërsa këta të fundit i japin fund ecurisë prej 15 javësh radhazi pa humbje.

Gjirokastritët kanë ndryshuar tërësisht me uljen në stol të Julian Ahmatajt dhe në 4 sfida nën drejtimin e tij, kanë arritur të grumbullojnë 8 pikë, duke regjistruar dy fitore dhe dy barazime.

Sfida e sotme ishte vërtetë e luftuar nga të dy skuadrat, por në fund mbeti në fuqi goli i Rapos në pjesën e parë, pavarësisht tentativave të shumta të “djemve të detit”, për të shmangur humbjen.

Me këtë fitore Luftëtari shkon në kuotën e 25 pikëve, duke u larguar plot 6 pikë nga Kastrioti ndjekës dhe duke siguruar frymëmarrje sa i përket garës së mbijetesës.

Nga ana tjetër Teuta nuk shfrytëzon si duhet mundësinë për t’u afruar me Partizanin, pasi mbetet përkohësisht në vendin e dytë, me 39 pikë.