Ndoshta fitorja e Nigerisë kundër Islandës dhe sigurisht ditëlindja e kapitenit Lionel Mesi, e festuar edhe paksa në fushën e stërvitjes nga e gjitha skuadra, ka bërë që klima e tensionuar tek Argjentina të shuhet disi dhe në pritje të ndeshjes së tretë, i gjithë grupi të jetë më i qetë dhe i përqendruar, pasi me një fitore, fati dhe një rezultat në favor të tyre kundër në sfidën tjetër, Kroaci-Islandë, mund të bëjë që bardhekaltrit të vazhdojnë aventurën e tyre në këtë Kupë Bote.

Gjithsesi, media vendëse dje ka qenë e fokusuar te marrëdhënia që do të tregonin në seancën stërvitore dy futbollistë në veçanti, Havier Maskerano dhe Kristian Pavon. Mesfushori veteran dhe sulmuesi i ri duket se kanë qenë dy prej lojtarëve që janë përplasur ashpër mes tyre, pas humbjes së rëndë me Kroacinë. Ai që e ka bërë publik këtë lajm ka qenë Karuzo Lombardi, ishtrajneri i skuadrës së Tigre, i cili ishte prezent në ambientet e brendshme të stadiumit, si i dërguar edhe i së përditshmes “Ole”, duke rastisur në momentin e nervozizmit mes tyre.

Pavon ka qenë shumë kritik dhe ka kërkuar llogari te një mes lojtarëve më të vjetër të përfaqësueses, por Maskerano i është kthyer me tone diskriminuese, aq sa talenti i Boka Junjorsit nuk është përmbajtur dhe e ka goditur me grusht atë dhe përplasja është ndalur nga një pjesë e stafit teknik. Por dje, duke qenë se edhe kamerat e mediave argjentinase kanë qenë të shumta në stërvitje, të dy lojtarët kanë vendosur të bëjnë paqe në fund të seancës. Pavon e ka pritur në hyrje të ambienteve të brendshme dhe i ka dhënë dorën, ndërsa pyetjes së një gazetari mbi sherrin, Maskerano iu përgjigj me ironi: “Pavon nuk më goditi, madje më përdhunoi…”, dhe u largua duke qeshur.