Mbrëmjen e djeshme, Dortmundi u ndal në një barazim pa gola në transfertën ndaj Nurenberg, por një episod i veçantë ndodhi në minutën e 13-të të takimit.Anësori i verdhezinjve, Xhejdon Sanço, gjendej tek flamuri i goditjes së këndit, pranë tifozerisë ultrase vendase, për të kryer këndoren. Por, tek ai dhe pranë arbitrit anësor, filloi një “shi” topash tenisi, me ngjyrën e zezë.

Në fakt, kjo ishte një protestë e tifozëve gjermanë, të cilët nuk janë dakord me ndeshjet e së hënës. Në fakt, federata gjermane e futbollit pati deklaruar në nëntor se është marrë një vendim për të mos lejuar më ndeshje për të hënën në darkë, por ekziston një marrëveshje me transmetuesin e Bundesligës, ku deri në vitin 2022, në çdo sezon do të përfshihen edhe 5 ndeshje ditën e hënë.