Faza e dytë e cila nisi me 10 shkurt dhe që sot ka javën e katërt të saj, është shoqëruar me problematikë për djemtë e Likës. Në përfundim të 13 ndeshjeve të pjesës së parë të kampionatit, Teuta ishte shkëputur nga ndjekësja e saj më e afërt Tirana me 5 pikë, avantazh i mirë ky për t’u menaxhuar. Por kur janë lënë pas 270 minuta lojë, vihet re se djemtë e detit jo vetëm që ia përpinë me shpejtësi diferencën, por e lanë pas duke e vendosur në vendin e tretë.

Tirana mori në dorë komandën e kampionatit dhe ndjen pranë frymëmarrjen e Skënderbeut. Pse e dorëzoi Teuta flamurin e kampionatit? Të paktën në tri ndeshjet e konsumuara të këtij prologu të fazës së dytë, arsyetimi plotësohet nëpërmjet argumentit të shifrave, fakteve dhe dukurive. Rrjetës së Rizvanit filloi t’i prishet “qetësia” dhe topat e kundërshtarit kanë filluar ta trazojnë atë. Mbrojtjes i janë krijuar të çara e mesfusha ndjehet e pamundur për të dhënë ndihmesën e duhur sa mbrapa aq edhe para. Sulmi po vuan shterpësinë dhe porta po u duket “gogol”, atyre që u është besuar nuhatja e rrjetës.

Shpresat e tifozerisë janë tronditur, duke u lëkundur në bindjen që vërtet Teuta e tyre do të dalë kampione! Nga 9 pikë Teuta arrin të marrë vetëm 1, duke i hapur rrugën Tiranës dhe Skënderbeut.

Mbrojtja

Kur tenton të analizosh sadopak performancën e djemve të detit, për rrugën e bërë deri tani, burimi më i parë i logjikës janë shifrat. Dhe ndoshta këto dukuri tek Teuta, mund të jenë nga më të veçantat gjatë gjithë historisë së saj. Paradokset dhe oshilacionet janë të ndjeshme. Në 10 javët e para të kampionatit Teuta pëson vetëm 4 gola, por edhe këto vetëm në dy ndeshje. Në javën e tretë goditet nga tre gola në Shkodër dhe në javën e nëntë nga 1 gol në Peqin. Në 720 minuta çelësi i mbylljes së rrjetës së Teutës, është në duart e Rizvanit dhe mbrojtjes. 4 golat e pësuar në 900 minuta, do të thotë që porta durrsake të pësojë një gol në çdo 225 minuta. Nuk ka ku të shkojë më mirë. Komplimentet nuk mungonin nga javë në javë, ku anija durrsake lundronte e qetë në detin e trazuar të kampionatit.

Kur u arrit fitorja e fundit me Laçin me 26 nëntor 2011 në Niko Dovana, në javën e 10-të Teuta kishte shënuar 12 gola dhe pësonte vetëm 4. Por duke nisur nga java e 11-të e deri në javën e 16-të, Rizvanit ia “rrëmbyen” kyçin e portës ku sulmuesit e 6 ekipeve hapën rrjetën e durrsakëve. Ishin fitoret që mbyllën boshllëqet dhe ku prekja e rrjetës fillimisht nuk binte në sy, ndonëse golat shtoheshin pak e nga pak. Kamza, Pogradeci dhe Kastrioti ia morën nga një herë peng rrjetën Rizvanit. Dhe tani me 3 ndeshjet e para të fazës së dytë, me Teutën ndodh e kundërta e asaj performance të 8 ndeshjeve të fazës së parë, që rrjeta qëndronte e pa trazuar. Tirana e godet me dy gola dhe me nga 1 gol Flamurtari me Vllazninë. Këto gola ishin rëndues për gjendjen e Teutës, sepse sulmuesit nuk i “fshehën” ato si në fazën e parë.

Teutës i shënohen në 13 ndeshje 7 gola, ose më saktë në 5 ndeshje, ndërsa vetëm në 3 ndeshjet e para të fazës së dytë pëson 4 gola. Mesatarja e pësimit është 1 gol në çdo 67.5 minuta. Ulet ndjeshëm mesatarja, bie edhe forca mbrojtëse, kriset disi edhe gjendja e Rizvanit dhe të gjitha këto e kalojnë Teutën nga vendi i parë në të tretin. Lika është i bindur se duhet të shtohen më shumë përpjekjet, për të ndalur këtë cedim të Teutës. Është një krizë e momentit, e cila mund të kalohet më moral dhe psikologji të kristalizuar, duke shtuar besimin në aftësitë dhe vlerat e grupit.

Pas humbjes me Vllazninë, tekniku durrsak jo për justifikim se sa konstatim i asaj që duket dhe preket, foli edhe për mungesat në mbrojtje. Në javë të ndryshme kanë munguar Osmani, Stafa, Sheta, Jakupi, Da Silva, duke i shtuar edhe mungesën e gjatë dhe të paparashikueshme të Hyshmerit. Edhe me Bylisin nuk luajnë dy mbrojtës që janë tipikë në luftën sportive dhe mbulimin e rreptë të kundërshtarit: Sheta dhe Jakupi. I pari i dalluar dukshëm në luftën ajrore. Me Tiranën mungoi edhe mesfushori shkatërrues Flamur Tairi. Në Vlorë nuk luajti Stafa dhe Hyshmeri, me Vllazninë iu shtua mungesave edhe Da Silva.

Dhe me Ballshin numri i mungesave mund të mbetet përsëri në tre futbollistë, pasi dyshes Sheta- Jakupi, i shtohet Pepa me tri kartona të verdhë.

Sulmi

Metoda krahasuese nëpërmjet gjuhës së shifrave, i prek më shumë gjërat dhe praktikën e konkretizon më tej. Në fund të kampionatit të kaluar, Teuta realizon 38 gola, ku 21 prej tyre shënohen nga dyshja Pepa – Çota. Sulmuesi kryesor i Teutës, Çota, 8 golat i shënoi deri në javën e 17-të, sepse më tej gara u mbyll për të për efekt dëmtimi, ndërsa Pepa shënoi 13 gola.

Vërtet që me 11 golat e pësuar, Teuta renditet së bashku me Skëndërbeun në majën e superligës, por ndryshon puna kur bëhet fjalë për shënimin në portat kundërshtare. Me 19 golat e shënuara, Teuta ndan së bashku me Tomorin vendin e 8-9-të, duke lënë pas vetëm 5 ekipe. Pepa në sajë të një performance aspak për t’u patur zili, është antipod i kampionatit të kaluar duke humbur vendin e titullarit. Ai ka shënuar 1 gol ndaj Kastriotit në javën e 13-të dhe këtu është ndalur. Por edhe Mirel Çota, këmbëshpejti i Teutës i mbetet borxhli vlerave të tij, për ta trajtuar si shënuesin më të mirë.

Mesatarja e shënimit të Teutës deri në këto 16 javë është 1 gol në çdo 75.7’ lojë, ku rivalët e saj Tirana, Skënderbeu dhe Flamurtari shënojnë respektivisht nga 1 gol në çdo 57.6 minuta, 48 minuta dhe 62.6 minuta. Sulmi durrsak duke mos u vënë në pozita “sulmi”, duhet të analizojë me shumë objektivitet faktin që goleadori më i mirë i tyre Çota, i bie të ketë shënuar 1 gol në çdo 288 minuta lojë, kur sezonin e kaluar librazhdasi për kohën që luajti realizonte 1 gol në çdo 191.5 minuta. Ndërsa shkodrani Nika i cili fitoi me meritë vendin e titullarit, mbetet shumë për të rritur treguesit e golashënuesit.

 

Rrjetës së Rizvanit filloi t’i prishet “qetësia” dhe topat e kundërshtarit kanë filluar ta trazojnë atë. Mbrojtjes i janë krijuar të çara e mesfusha ndjehet e pamundur për të dhënë ndihmesën e duhur sa mbrapa aq edhe para. Sulmi po vuan shterpësinë dhe porta po u duket “gogol”, atyre që u është besuar nuhatja e rrjetës. Shpresat e tifozerisë janë tronditur, duke u lëkundur në bindjen që vërtet Teuta e tyre do të dalë kampione 

Dy golat e shënuar prej tij, janë shumë pak për një djalosh të talentuar që kërkon fanelen e ekipit përfaqësues. Përkundrejt mbrojtjes që ka nisur të ketë “rrjedhje” në portë, sulmi mbetet në shterpësinë e shënimit. Humbja e vendit të parë dhe strehimi në vendin e tretë pas javës së 16-të, duhet parë dhe trajtuar nga durrsakët edhe si humbje apo zbehje të aftësive golashënuese.

Ekstremitetet

Në raport me Teutën, ballshiotët kanë shënuar 10 gola më shumë, me një mesatare 1 gol për 49.6 minuta duke qenë vetëm 1.6 minuta pas Skëndërbeut të vendit të parë, duke treguar se mbeten rrezik potencial për durrsakët në transfertën e tyre të 18 marsit. Lika në stërvitjet e këtyre ditëve, i kërkon sulmuesve të rrisin më tej aftësitë e tyre për të balancuar ofensivën e pritshme të Bylisit.

Ballshiotët janë ekipi i fundit, me 34 gola të pësuar, por që mund të ruajë sterilitetin në portë, përballë zbehtësisë së aftësisë golashënuese të Teutës. Vihet re një antipod interesant. Nëse Teuta është ekipi që pëson më pak në kampionat, Bylis është rekord negativ këtu duke qenë i fundit. Ndërsa ndodh e kundërta në shënim, ku Bylis është i dyti pas Skënderbeut. Me 18 mars në Adush Muça do të vihet përballë sulmi agresiv i Bylisit, me portën më të mbrojtur të Teutës.

Transfertat

Teuta kryeson garën në superligë, sa i takon pikëve më të shumta të marra në transfertë. Janë plot 19 pikë. Humbet në Shkodër në javën e tretë dhe barazon me Flamurtarin në javën e 15-të. Do ta konsideronim arritje spektakolare këtë dukuri të Teutës. Por Bylis është i 5-ti në renditje sa i takon pikëve të realizuara në shtëpinë e tij, ndërsa Teuta renditet në vendin e 11-të.

A do të mund të ruajë këtë dukuri pozitive Teuta edhe në Ballsh? Dihet që kjo fushë është tejet e vështirë për çdo ekip. Është prezente një tifozeri më shumë se e zjarrtë dhe në fakt ndjehet edhe një lloj trysnie psikologjike. Bylis e ka të shenjtë fushën e tij, pasi me pikët e këtushme siguron mbijetesën në superligë. Por Teuta kërkon të rimarrë kryesimin dhe rezultati pozitiv është më shumë se i pritshëm.

Lajm i mirë është se më në fund luan edhe mesfushori Hyshmeri, por mungojnë Sheta, Jakupi dhe Pepa. Lika në Ballsh mbështet shpresat në këtë përbërje: Rizvani, Stafa, Osmani, Rustem Hoxha, Da Silva, Tairi, Altin Hoxha, Veliaj, Mancaku, Nika, Çota. Hyshmeri mbetet alternativë. Interesimi për ndeshjen është tejet i madh. Është një 90-të minutësh, që e shoqërojnë dilemat, mëdyshjet, pikpyetjet. Pyetjes: pse Teuta humbi kryesimin, mund t’i shtojmë një tjetër të panjohur: a do të mund Teuta t’i rimarrë pozitat e humbura? Prandaj ndër të tjera, interesimi vjen dhe mbërthehet edhe në këtë përgjigje.

TEUTABYLIS

Bilanci i 20 ndeshjeve

Kanë zhvilluar ndërmjet tyre 20 ndeshje, prej të cilave 11 janë fituar nga Teuta dhe 5 nga Bylis. Në barazim kanë përfunduar4 takime. Golavarazhi: 27-14 përdurrsakët.

PAKËNAQËSIA

Hasanbelliu largon Dalipashiç

Pas humbjes me Vllazninë, presidenti Hasanbelliu shpreh pakënaqësinë e tij ndaj lojës së Teutës. Janë tri ndeshje radhazi në Niko Dovana që Teuta nuk fiton, madje në dy prej tyre edhe humbet. Por Hasanbelliu vendos për largimin nga Teuta të futbollistit serb Pavel Dalipashiç. I trajtuar si gjetje në merkatën e dimrit, veçanërisht në pozicionin e golashënuesit, loja e tij veçanërisht në ndeshjet me Flamurtarin dhe Vllazninë ishte zhgënjyese.