Veprimtaritë masive sportive, të organizuara në bazë shkollash, kanë parë këtë vit një angazhim total të nxënësve pjesëmarrës. Projektet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, të mbështetura nga drejtoritë e shkollave, përbëjnë një eksperiencë që vlen të përgëzohet dhe të kthehet në një traditë të përhershme. Lidhja e fortë e fëmijëve me sportin doli mjaft qartë në pah gjatë kampionateve të larmishme të zhvilluara gjatë këtij viti mësimor

Këtë sezon shkollor fëmijët janë “ngopur” me veprimtari sa pikante aq edhe të ndjera. Kjo ka ndodhur edhe për një fakt fare të thjeshtë. Drejtoresha e kësaj qendre të njohur kulturore dhe edukimi është Gladiola Busulla, një intelektuale që sfidon pozicionin e saj me punë dhe ngarkesë. Ndërsa në sektorin e sporteve është vendosur një djalë me temperament dhe shumë aktiv, Arian Plaku. Ky binom, veçanërisht në vitin arsimor që përfundoi, kanë lënë përshtypje nga më të mirat. Ato u bënë promotorë të një sërë veprimtarish, të pa realizuara më parë. Vunë në lëvizje shkollat, por gëzuan dhe kënaqën veçanërisht fëmijët. Këto veprimtari kanë patur brenda jo vetëm masivitetin, cilësinë dhe vlerat organizative, por veçanërisht ato festive dhe stimuluese. Të gjithë kampionatet në disiplina të ndryshme sportive si: futboll, basketboll, volejboll, shah, pingpong e sporte të tjera masive janë mbyllur me ceremoni tërheqëse ku spikati qartë fantazia dhe mençuria e organizatorëve. “Kërkojmë të jemi në një hap me dëshirat dhe vizionin  e fëmijëve për sportet,- thotë Busulla. Lodhja kthehet në kënaqësi, kur shikon se qindra nxënës sportistë rendin pas sporteve me dëshirë të madhe për t’i ushtruar ato, por edhe për të nxjerrë vlerat e tyre konkurruese. Edhe më tej do të vrasim mëndjen, për të tjera risi duke justifikuar plotësisht angazhimet e marra në funksion të argëtimit dhe edukimit të fëmijëve nëpërmjet sporteve”. Tre veprimtari masive, që edhe pse kanë përfunduar vazhdojnë të diskutohen ndërmjet fëmijëve për mbresat dhe kënaqësinë që u kanë dhënë e dëshmojnë më së miri ato që përmendëm më sipër.

Kampionati i volejbollit u zhvillua me sistem eliminimi, ndërmjet 32 ekipeve pjesëmarrëse. Gjyqtaria përbëhej nga emra të njohur të botës sportive të qytetit si: Etleva Lleshi, Ilia Mujo dhe Mikel Furrxhi. Meriton të përgëzohet drejtoria e shkollës jo publike “Viçenc Prendushi” për vënien në dispozicion të palestrës së saj komode për këtë aktivitet të rëndësishëm sportiv. Në përfundim të ndeshjeve në grupe u zhvilluan takimet finale. Për djemtë titullin kampion e fitoi ekipi i shkollës jo publike “Iliria”, i cili mundi ekipin e shkollës “Hasan Koçi” 2-1. Për vajza pas një dueli interesant, titulli kampion kaloi për ekipin e shkollës “Demokracia”, të cilat fituan 2-1 ndaj sfidantes “Nënë Tereza”. Vëmendjes së organizatorëve nuk i shpëtuan edhe vlerësimet individuale krahas atyre ekipore. Deisa Meçe e shkollës “Nënë Tereza” dhe Roxhensa Danglli e shkollës “Demokracia” u vlerësuan si shuterët më të mira, ndërsa Franka Dedej e shkollës “Vinçenc Prendushi” ishte më aktive si organizatore. Për djem vlerësimi si organizatori më i dalluar, kaloi për nxënësin e shkollës “Vinçenc Prendushi” Luka Vehbiu.

Jo më pak interesant ishte edhe kampionati ndërmjet shkollave 9-të vjeçare publike dhe jo publike, që u organizua në disiplinën e pingpongut. 16 shkollat, në sajë të testimeve të bëra, përcaktuan 30 djem dhe 30 vajza për t’i përfaqësuar. Në këtë veprimtari ndihmesë të çmuar dha edhe klubi shumësportesh Teuta, me sekretar Emiljan Janin dhe mjeshtrat e njohur të pingpongut Musa Tërniqi dhe Flamur Bako. Në përfundin Henri Pajuni i shkollës “Vinçens Prendushi” meritoi titullin kampion, i ndjekur nga Kevin Çela. Për vajza Emirjeta Isufi e shkollës “Qemal Mici” nuk la asnjë t’ia kalonte, duke kaluar në vendin e dytë Burxhu Ergil të Turgut Ozal. Risi më vete ishte edhe dita e edukimit olimpik. Si zakonisht QKF-ja ka treguar se ka aftësi të rrokë bashkëpunimin e drejtorive të shkollave dhe të institucioneve specifike, që ndihmojnë në mbarëvajtjen e këtyre gjetjeve. Dita olimpike përmbante gara me patina, biçikleta, monopatina, kros, ngritjen e balonave, demonstrime aerobike etj. Me qindra fëmijë mbushën shëtitoren Taulantia, ndërsa organizatorët përmbushën shpresat dhe optimizmin për organizime edhe më të bukura në të ardhmen. Kur arrin të krijosh suksese në kuadrin lokal, është më e lehtë t’i shtrish këtë arritje edhe në planin kombëtar. Kështu me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, në Tiranë u zhvillua kampionati kombëtar i Aerobisë. Qendra kulturore e fëmijëve të Durrësit fitoi vendin e parë në Gjimnastradë Pranverë 2012. “Jemi të vetëdijshëm,- komenton Busulla,- që sukseset e arritura këtë vit nuk do të jenë të fundit. Kërkesat e nxënësve dhe fëmijëve janë të pafund, prandaj edhe stafi ynë është i bindur t’i trajtojë me durim ato dhe të bëjë më të mirën. Përvoja është e çmuar. Gjithashtu edhe tradita na ndihmon. Ruajmë bindjen se arritjet do t’i shtrijmë dhe thellojmë, duke menduar që tani në verë për vitin e ardhshëm arsimor”.