Krijimi i një kampionati të përbashkët basketbolli mes Shqipërisë dhe Kosovës është një temë që po diskutohet shumë ditët e fundit. Një ide mjaft e bukur, të cilën e konfirmoi presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, në një deklaratë të dhënë ditët e fundit në media.

Ndërkohë që kjo ide nuk është pritur aspak mirë nga presidenti i Cervena Zvezdës, Nebojsha Çoviç, i cili ka provokuar kryeministrin Rama.

Në një prononcim të dhënë për mediat, serbi u shpreh: “Ndoshta mendojnë se mund të bëjnë diçka të ngjashme, duke ditur që shqiptarët kanë pretendime territoriale ndaj Serbisë, që tashmë i kemi parë. Çdo ditë shohim pretendimet e tyre ndaj Maqedonisë , pak më të nënshtruara edhe ndaj Malit të Zi. Nuk e fshehin që kanë edhe ndaj Greqisë. Ndoshta kështu mendojnë të bëjnë një ligë Tirana – Prishtina. Duke pasur parasysh që Edi Rama është artist dhe i dhënë pas sportit, pasi gjithnjë mbathë këpucë sportive ‘adidas’ ndoshta i ka shkuar në mendje që ABA të bëhet ‘Albanska basketbol asocijacija’ (Asociacioni i Basketbollit Shqiptar)”, ka thënë Çoviç.