Claudio Ranieri merr përsipër një tjetër mision të vështirë, por jo të pamundur pasi e pamundura nuk ekziston për trajnerin italian i cili në sezonin 2015-2016 bëri mrekullinë që askush nuk e mendonte duke u shpallur kampion i Anglisë me Leicester City. Ranieri është rikthyer në kampionatin anglez, këtë herë për të drejtuar një tjetër skuadër londineze pas Chelsea-it. Italiani është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i Fulham duke marrë përsipër misionin e vështirë për të shpëtuar skuadrën nga rënia në Championship.

Drejtuesit e Fulham vendosën të shkarkonin trajnerin serb Slavisa Jokanovic pas gati 3 vitesh, për shkak të rezultateve të dobëta me skuadrën londineze që pas 12 javëve të para pozicionohet në vendin e fundit të kampionatit me vetëm 5 pikë të grumbulluara edhe pse ka në përbërje lojtarë me peshë si Mitrovic, Schurrle e Vietto. Ranieri u shfaq shumë i lumtur për këtë eskperiencë të re në karrierën e tij.

“Është një nder ta pranoj ftesën e zotit Shahid Khan për të udhëhequr Fulhamin, një klub me traditë dhe histori. Objektivi i Fulhamit nuk duhet të jetë thjesht mbijetesa në Premier League.Ne duhet të jemi në çdo kohë kundërshtar i vështirë për këdo. Pra, presim që të kemi sukses. Fulham ka talente të jashtëzakonshme, çka shkon në kundërshtim me pozicionin në klasifikim. E di që kjo skuadër është shumë e aftë për paraqitje më të mira”, theksoi trajneri italian.

Ndërkohë pronari i Fulham Shahid Khan falenderoi serbin Jokanovic për punën e shkëlqyer që ka bërë në këto 3 vite në krye të Fulham. “Unë nuk prisja që ta bëja këtë njoftim në lidhje me Slavisa, por rrethanat ishin të tilla. Rruga jonë në këtë sezon më ka çuar në këtë vendim, që shpresoj të rezultojë i saktë dhe në kohën e duhur. Le të jetë një shtysë për lojtarët, klubin dhe mbështetësit tanë. Slavisa gjithmonë do të ketë vlerësimin tim dhe respektin për gjithçka bëri, që e ktheu Fulhamin në Premier League. I uroj atij suksese dhe fat të mirë, kudo që mund të jetë stacioni i ardhshëm”.