Mund të jetë i pranueshëm fakti që të humbësh për herë të parë në karrierë dy finale radhazi, edhe pse kjo përkoi pas transferimit të tij në Torino, por të shohësh një Ronaldo që nuk shënon për 4 ndeshje me radhë dhe situata si kjo po nisin që të përsëriten pak si shpesh, sigurisht që vënë në tension jo të vogël Juventusin. Kampionët e Italisë kanë provuar nga dje që të tentojnë të kapërdijnë disfatën në Kupën e Italisë, kundër Napolit, por më shumë sesa ky fakt, ose më saktë duke u përqendruar te një tjetër frazë e fortë e trajnerit Sarri, individualitetet bardhezi papritur kanë ngritur frenat e dorës.Nëse në ndeshjen e 8 marsit kundër Interit (përpara se Koronavirusi të frenonte futbollin), edhe pse Juventusi fitoi, ai nuk arriti që të lërë shenjën e tij, për të vendosur rekordin absolut të 12 ndeshjeve radhazi me gol në Serinë A, apo edhe mungesa me Lionin, rikthimi në fushë nuk ishte ai që pritej për Kristianon.Në gjysmëfinalen e kupës kundër Milanit dhe aq më shumë kundër Napolit u pa një lojtar fare pak agresiv, por mbi të gjitha që kishte humbur edhe shënjestrën, sepse humbja e penalltisë ndaj “Djallit” ishte vërtet e papritur.

Katër ndeshje pa gol, katër ndeshje pa CR7-ën e vërtetë dhe Juventusi e ndjeu menjëherë mungesën në fushë, ndonëse “TuttoSport” i jep një stimul për të provuar që të ringrihet, nga e hëna në mbrëmje, kundër Bolonjës në transfertë. Sipas të përditshmes sportive torineze, Ronaldo, aktualisht në kuotën e 21 golave në Serinë A, vetëm gjashtë më pak se laciali Çiro Imobile, duhet të rigjejë instinktin vrasës dhe të provojë që të fitojë “Këpucën e Artë” në Itali.Sepse duke u shpallur kryegolashënues edhe në elitën e futbollit të Gadishullit Apenin, Kristiano Ronaldo, ndonëse në moshën 35- vjeçare, do të bëhej futbollisti i vetëm në botë që do të shpallej kryegolashënues në 3 prej ligave më të mëdha të kontinentit.