Në shtëpinë e Juventusit janë ditë të nxehta, jo vetëm sepse luajnë ditën e nesërme sfidën e prapambetur ndaj Napolit, por sepse projekti i nisur nga trajneri Pirlo po fillon të ketë dyshimet e saj.

Duke parë rezultatet, pozicioni i Pirlos është në dyshim të madh dhe po projektohet rikthimi i madh i Masimiliano Alegrit. Sipas medias spanjolle “Don Balon”, edhe Kristiano Ronaldo i ka dhënë dritën jeshile kësaj tratative. Edhe pse Andrea Anjeli sigurisht nuk ka nevojë për miratimin e Ronaldos për të marrë vendime në lidhje me klubin, sigurisht fjala e yllit portugez mund të peshojë në kontekstin e një ndryshimi të mundshëm në një nivel teknik para përfundimit të sezonit.

Dhe në Spanjë nuk kanë dyshime në lidhje me këtë çështje, duke raportuar mbështetje të plotë nga Ronaldo për kthimin e mundshëm të Alegrit në krye të Juventusit. Një opsion që për momentin mbetet ende në prapavijë, por që qëndron pezull në Vinovo për disa kohë duke patur parasysh eliminimin nga Champions, situatën e renditjes dhe paraqitjet më të fundit të skuadrës. Një situatë për tu trajtuar me kujdes në ditët në vijim. Mbi të gjitha sepse ndeshja ndaj Napolit sigurisht që do të jetë një udhëkryq themelor jo vetëm për zonën Champions, por edhe për të ardhmen e Pirlos.