Kristiano Ronaldo bëhet shpesh herë protagonist si në fushën e futbollit ashtu edhe jashtë saj. Pak ditë më parë, ai refuzoi të ishte në ceremoninë gala ku po jepej “Topi i Artë”, trofe të cilin arriti ta fitonte Leo Mesi.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme ka arritur të shënojë kundër Bajer Leverkusenit. Juventusi fitoi me rezultatin 2-0 kundër “aspirinave” duke vulosur në këtë mënyrë vendin e parë në klasifikim në grupin e tyre dhe duke lënë pas Atletiko Madridin. Në përfundim të ndeshjes, një tifoz ka arritur t’i shpëtojë rrethimit të stjuartëve dhe ka hyrë në fushë me një telefon në dorë duke provuar të bëjë një “selfie” me yllin portugez.

Në momentin që e ka kapur te qafa për të bërë foton, Ronaldo ka reaguar ashpër duke e larguar ndërkohë që ka refuzuar më pas të bëjë foton me të. Videoja e shpërndarë në rrjetet sociale, është bërë menjëherë virale duke shfaqur në këtë mënyrë një anë të errët të portugezit teksa kritikat për të janë të shumta.