DURRES, 19 mars 2013 – Prej dy ditësh ekipi ynë kombëtar është grumbulluar në Durrës, ku po përgatitet për ndeshjen e radhës ndaj Norvegjisë. Kuqezinjtë e vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin, ndërsa besojnë se do të marrin më të mirën nga ky takim. Transferta e Oslos do të jetë një nga më të vështirat për skuadrën shqiptare, pasi vikingët janë kundërshtar të drejtpërdrejtë. Në kampin kuqezi mendojnë vetëm për transfertën e Oslos, ndërsa shprehen të sigurt se do të bëjnë një paraqitje dinjitoze në Norvegji.

Salihi dhe Andi Lila, dy nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës në konferencën e mbajtur për shtyp, bënë të ditur se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë më të mirën nga kjo përballje, ndonëse shumë e vështirë.

“Duhet të jemi të bashkuar dhe të japim më të mirën tonë për këtë sfidë. Përpara na pret një ndeshje shumë e vështirë, e cila duhet përgatitur mirë, pasi është mjaft e rëndësishme për ecurinë e skuadrës në këto eleminatore. Kemi një skuadër që me kontigjentin që ka, i ka të gjitha mundësitë të bëjë një paraqitje dinjitoze në Oslo, dhe pse jo të kthehet me rezultat pozitiv. Norvegjezët janë një skuadër që praktikojnë lojën e ashpër dhe fizike, prandaj duhet të përgatitemi mirë, për mos u gjendur në situata të pakëndshme. Ne jemi gati dhe do të japim 100% në këtë përballje”, u shpreh sulmuesi Salihi, i cili pritet të jetë në njëmbëdhjetëshen e parë.

Të njëjtin mendim me Salihin ndau edhe mbrojtësi Andi Lila. Kavajasi e konsideroi mjaft të rëndësishme këtë sfidë, ndërsa theksoi se me dy ndeshjet me Norvegjinë, luhet sezoni.

“Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, pasi ecuria e skuadrës varet shumë nga dy ndeshjet që kemi me Norvegjinë, të shtunën dhe me 6 qershor. Deri më tani kemi marrë rezultate pozitive, ndaj do të provojmë sërish, pavarësisht se përballë kemi një kundërshtar si Norvegjia. Ne jemi gati për këtë përballje dhe premtojmë se do të japim maksimumin për t’u kthyer në Shqipëri me rezultat pozitiv”, përfundoi mbrojtësi, i cili aktivizohet në kampionatin grek me skuadrën e Pas Janinës.

/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/