Teuta triumfoi me rezultatin 3-1 në përballjen ndaj Luftëtarit. Tekniku i skuadrës durrsake, u shpreh i kënaqur me futbollistët e tij, deri në momentin që rezultati shkoi 3-0. Pas këtij momenti, durrsakët lëshuan pak në lojën e tyre, teksa kjo gjë u evidentua edhe nga trajneri Shkëmbi. 

Jeni i kënaqur me rezultatin apo me lojën? 
I kënaqur me 3 pikët, i kënaqur me skuadrën deri në momentin që loja shkoi 3-0. Pastaj nuk më pëlqeu skuadra. Lëshuam shumë, gabuam pasime të thjeshta. Në disa momente kundërshtari na vuri në vështirësi. Për fat të mirë kemi kohë për të analizuar gabimet. Pati një vetëkënaqësi te skuadra. Nuk më pëlqyen lojtarët që kanë eksperiencë. Një shpërqendrim. 

Nikaç u zhbllokua, ndërsa pas rezultatit 3-0 u duk se pati vetëkënaqësi te skuadra… 
Më mirë që ndodhi tani në fillim, që ta dimë se nuk ka asgjë të sigurt në futboll. Nikaç më ka pëlqyer edhe pse nuk ka shënuar. Ai shënoi dhe kjo është e rëndësishme. Shpresoj të vazhdojë kështu.