Teuta i shkaktoi humbjen e parë Laçit në këtë sezon të Superiores dhe mori fitoren e dytë radhazi, ndërsa trajneri Blendi Shkëmbi nuk e fshehu kënaqësinë në intervistën e dhënë pas ndeshjes 

Një fitore e bukur dhe bindëse. Çfarë ndryshoi te Teuta? 
Mendoj që nuk kemi ndryshuar gjë, kemi vazhduar të punojmë. Ndryshuam pak në anën taktike, pasi spostuam Prognin në sulm me Latif dhe bëmë një ndeshje të mirë. E mendoja të vështirë, edhe pas daljes me të kuq të Laçit. I shfrytëzuar rastet që na u dhanë dhe kjo të jep garanci psikologjike. 

Sa i rëndësishëm është Latif për Teutën? 
Nuk më pëlqejnë ekipet që kanë lojtar të rëndësishëm. Kemi pasur në çdo ndeshje mungesa, por më vjen mirë për Latif. Në fillim u vendosën pikëpyetje për të, por tani po shënon dhe kjo është një gjë shumë e mirë edhe për ne. 

Ka një lloj besimi pas kësaj fitoreje… 
Dëshira ime ishte që ne të arrinim dy fitore rresht, që deri tani nuk i kishim arritur. Fituam me Krujën, fituam edhe sot përballë një ekipi shumë të mirë si Laçi. Duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi ndeshja e radhës vjen shpejt. Duhet të vazhdojmë rezultatet pozitive. 

Mesfushës së Teutës i ka munguar një lojtar me eksperiencë. Mendoni se Osmani është një lojtar që duhet të luajë gjithmonë aty? 
Do doja që mesfusha të kishte një lojtar me eksperiencë. Osmani mund të bëjë më mirë aty, por në fillim edhe ruhej pak. Në futboll është shumë e rëndësishme vazhdimësia. Do bëjmë të pamundurën që ta kemi. Duhet të punojmë dhe duhet të flasim nga ana psikologjike. Në qoftë se fiton, problemet zvogëlohen, në qoftë se humb, problemet zmadhohen.