Pas një dite të lirë pas kthimit të skuadrës nga Letonia ku u zhvillua ndeshja e parë për eliminatoret e UEFA Europa League, futbollistët e Teutës janë rikthyer në stërvitje. Ekipi do të punojë në “shtëpi” deri të mërkurën, ndërsa të enjten skuadra pret në “Niko Dovana” Ventspils ku do të zhvillojë ndeshjen e dytë të turit të parë të eliminatoreve për UEFA Europa League.

Teuta ka zbritur në fushën e stërvitjes për të vijuar programin e trajnerit Bledi Shkëmbi për sfidën e radhës ndaj Ventspilsit. E megjithatë, para se të niste seanca, trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij fillimisht janë ndalur në një analizë të shkurtër me të gjithë ekipin.Tekniku ka kërkuar nga skuadra mobilizim dhe reflektim për këtë ndeshje.

“Fati është pjesë e lojës. Nuk e kishim në Letoni, por mund ta kemi tani. Duam s’duam do ta pranojmë dhe këtë. Ndaj Ventspilsit duhet të kthehemi te loja e mirë dhe të kërkojmë të shënojmë sa më shpejt për të rihapur ndeshjen. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm për skuadrën. Zakonisht, gjatë gjithë kohës e përsëris se për ne e rëndësishme është të bëjmë lojën tonë për të bërë të pamundurën që ta kalojmë këtë ndeshje në turin e parë të Europës dhe më pas të mendojmë për gjëra të tjera. Ndeshja është e hapur akoma, por duhet të mobilizohemi në çdo moment që të arrijmë objektivin”, tha Shkëmbi para ekipit.

Skuadra vazhdon me përgatitjet me intensitet të plotë dhe futbollistët punojnë të ndarë me reparte.Stërvitja e djeshme filloi me nxehje të lehtë, ku përgatitësit atletikë Iris Selimi dhe Françesko Vitobello vazhduan punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Skuadra stërvitjen e vazhdoi me lojën me top dhe me konkretizim para portës. Mesfusha është reparti që po merr vëmendjen më të madhe, ku futbollistëve u kërkohet më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe më shumë inkursione nga lojtarët anësorë, si Progni, Kalaja apo edhe Vila.

Shkëmbi kërkon me ngulm që skuadra e tij të rikthehet te loja e bukur që dhuroi në kampionatin që sapo u mbyll dhe të bindë gjithashtu në rezultate dhe duket se i ka të gjithë përbërësit e duhur për diçka të tillë. Ndaj Ventspilsit është një ndeshje e rëndësishme, pasi në këtë moment kundërshtari vjen në Durrës me një rezultat pozitiv dhe janë shumë pranë kalimit në turin e dytë dhe Teuta nuk duhet të gabojë, por të mundohet të bëjë të pamundurën. Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin dhe objektivi është përmbysja e rezultatit.

Në stërvitjen e djeshme për Teutën nuk mungoi asnjë lojtar dhe në skuadër janë të gjithë në gjendje optimale, ku po vijojnë punën me ritme mjaft të mira. Vlen të theksohet se atmosfera brenda grupit të futbollistëve është mjaft pozitive, gjithashtu tek ata nuk mungon optimizmi dhe dëshira për ta rikthyer ndeshjen në favor të tyre.