Ish-mjeku i skuadrës olimpike amerikane në gjimnastikë, Larry Nassar, është shpallur sot fajtor për ngacmim dhe abuzim seksual ndaj vajzave dhe grave që ka patur nën mjekim gjatë kohës që ishte në këtë detyrë.

Lajmin e konfirmojnë mediat amerikane, që shtojnë se Nassar është akuzuar nga 7 gjimnaste, dy prej të cilave janë medalistet Aly Raisman dhe McKayla Maroney. Ato kanë konfirmuar se janë abuzuar seksualisht nga ish-mjeku gjatë kohës që ishin në delegacionin amerikan të gjimnastikës.

Mjeku, që ka punuar për 20 vite me ekipin olimpik amerikan të gjimnastikës, ka pranuar pjesërisht akuzat për të evituar një dënim të rëndë, duke bashkëpunuar me hetuesit. Por, pavarësisht kësaj, ai rrezikon deri në 25 vite burg, ndërkohë që është larguar nga kjo detyrë në vitin 2015.

Në seancën e fundit gjyqësore, ku u dha vendimi, ka dëshmuar edhe gjimnastja Gabby Douglas, medalje ari në Olimpiadën e Londrës dhe kampione olimpike në ekip në dy Olimpiadat e fundit, që gjithashtu e ka akuzuar mjekun për abuzim seksual.