Fantazisti i Milanit, Paqueta mori numrin 10 të Brazilit dje në miqësoren ndaj Argjentinës, në mungesë të kapitenit Neymar, por nuk e justifikoi aspak atë dhe në pushim të ndeshjes trajneri Tite e la në dhomat e zhveshjes.

Megjithatë njëri prej atyre që ka veshur dhe nderuar këtë fanellë të Brazilit, ish futbollisti i Milanit e Barcelonës, Rivaldo, ka reaguar shumë ashpër ndaj trajnerit Tite, duke i kujtuar se numri 10 është me shumë histori.

“Kam parë ndeshjen Brazil-Argjentinë dhe ka qenë shumë e trishtueshme të shikoje se çfarë ndodhi me fanellën me numër 10. Ia kishin dhënë atë fanellë Paqueta… Fanella me numrin 10 te Brazili është e respektuar në të gjithë botën dhe nuk është menduar për të ndenjur në pankinë e as për t’u zëvendësuar në pushim të ndeshjes, sepse e njeh e gjithë bota. Është një fanellë e veshur dhe nderuar ndër vite nga Pele, Rivelino, Zico, Rivaldo, Kaka, Ronaldinho, Neymar…”, tha Rivaldo në reagimin e tij.