Situatë e çuditshme për të mos thënë e pazgjidhshme për mbrojtësin e Kombëtares. Elseid Hysaj nuk po gjen të ardhme, teksa që në fillim të merkatos ai dhe menaxheri u shprehën se ishin në kërkim të një destinacioni të ri. Mirëpo, së fundmi në mediat italiane bëhet me dije se Napoli ka ndërmarrë një vendim të çuditshëm për mbrojtësin e djathtë.Nga sa raportohet në mediumet pranë Napolit, kjo e fundit kërkon që shqiptari të mos largohet si huazim, por vetëm me titull përfundimtar.

Kështu, të ardhurat nga kartoni i tij do të përdoreshin nga klubi për një tratativë të rëndësishme që mund të jetë ajo e Ikardit apo edhe ndonjë afrim tjetër i rëndësishëm për Ançelotin.E nëse deri më tani, drejtuesit dhe specifikisht presidenti e kanë vështirësuar largimin e Hysajt për shkak të vlerës së kartonit, pasi De Laurentis kërkon të paktën 20 milionë, ekipi i fundit i interesuar për shqiptarin po humb terren.

Roma, teksa po negocion prej ditësh për një transferim në formë huazimi për të reduktuar shifrën prej 20 milionë eurosh që kërkon Napoli, gjatë ditëve të fundit ka futur një tjetër alternativë: Zapakosta.Ky i fundit duket se po shihet me prioritet nga kryeqytetasit, duke qenë se për shqiptarin Napoli ka ngritur një mur tejet të lartë kërkesash. Mbetet për t’u parë se çfarë do të jetë i aftë që të bëjë menaxheri Xhiufredi, i cili prej kohësh po punon për të gjetur destinacion të ri për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare.

Ky i fundit, me ardhjen e Ançelotit nuk është më titullar, por zgjedhje e dytë ose e tretë. Në ditët e mbetura të merkatos, Hysaj duket më shumë i predispozuar për të mbetur napolitan edhe për një sezon, sesa të arrihet që të blihet nga një skuadër tjetër me 20 milionë euro.