Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Klaudio Tapia, ka ndërhyrë për mikrofonat e televizionit “TyC Sports”, për të komentuar për herë të parë “skandalin Sampaoli”, i cili akuzohet nga media argjentinase për ngacmime seksuale ndaj njërës prej kuzhiniereve të federatës, pak ditë përpara nisjes së Botërorit.

“Besoj me të vërtetë në ndershmërinë e Sampaolit. Këto zëra kanë qarkulluar nga persona që kërkojnë vetëm që të dëmtojnë kombëtaren dhe federatën. Nuk ka pasur denoncime, janë vetëm gënjeshtra”.Ditët e fundit kanë qarkulluar shumë audio në aplikacionin e komunikimit “WhatsApp” dhe rrjete sociale, ku thuhet se një prej punonjëseve të AFA është ngacmuar seksualisht nga trajneri i kombëtares. “Janë gënjeshtra dashakeqe dhe versione që nuk  ekzistojnë. Madje kanë thënë se unë edhe e kam shkarkuar. Këto gjëra nuk kanë ndodhur. Këta njerëz nuk mendojnë se çfarë dëmi mund t’u shkaktojnë familjarëve të personave të përfshirë”, shtoi Tapia.

Edhe policia ka njoftuar se nuk është bërë asnjë denoncim ndaj trajnerit Sampaoli. Ndërkohë që ky i fundit, nuk e përjashton që të hedhë në gjyq gazetarin, i cili hodhi në qarkullim një lajm të tillë.Nga skuadra e Lionel Mesit pritet shumë këtë Botëror. Finalistët e “Brazil 2014” e kanë shansin e fundit për të fituar një turne si Botërori pas 32 vitesh të udhëhequr nga një lojtarëve më të mirë të historisë.

Por nëse Leo tha se bardhekaltrit synojnë trofeun, për kreun e federatës, një rezultat i pranueshëm në Rusi do të ishte edhe renditja mes katër skuadrave më të mira. Tapia tha se gjysmëfinalet ishin një objektiv realist për Argjentinën, e cila do të përballet me Islandën, Kroacinë dhe Nigerinë, në Grupin D.

“Të jesh në katër më të mirët e botës është një arritje pozitive”, shtoi ai për televizionin argjentinas. Por edhe ai beson te “pleshti”, të cilin e vlerëson si futbollistin më të mirë në botë: “Ai i jep shumë futbollit argjentinas. Rritja që kemi si AFA është sepse kemi lojtarin më të mirë në botë”. Argjentina e nis këtë Botëror me ndeshjen kundër Islandës, në Moskë, të shtunën.