Me një surprizë të madhe, Kupa e Shqipërisë ka njohur finalistët që do të diskutojnë trofeun e dytë për nga rëndësia të futbollit në vend. Kundër çdo parashikimi, në aktin e fundit do të marrë pjesë edhe Skënderbeu. Skuadra korçare që lufton për të qëndruar mes më të mirëve mundi në transfertë 2-0 kryesuesit e Teutës. Të papriturat në “Niko Dovana” nisën që në minutën e dytë, kur Meksi me golin e tij të shpejtë i dhuroi epërsinë miqve.

Përpjekjet dhe shpresat e Teutës për të kthyer fatin e ndeshjes morën një tjetër goditje të rëndë në limitet e pjesës së parë. Berisha dyfishoi rezultatin për Skënderbeun, por I bëri keq vetes me festën e tij, pasi heqja e fanelës i kushtoi kartonin e dytë të verdhë dhe si pasojë përjashtimin.

Me dhjetë lojtarë gjatë gjithë pjesës së dytë, të besuarit e Memellit arritën të mbanin portën e tyre të paprekur dhe në fund festuan kualifikimin suprizë por të merituar në finalen e Kupës.

Korçarët do të diskutojnë trofeun me Vllazninë, që në mori më të mirën në gjysmëfinalen tjetër kundër Laçit.

Ndeshja e luajtur në “Loro Boriçi” u vendos nga goli i shënuar nga Ardit Hoxhaj që në minutën e 22-të të pjesës së parë. Me këtë sukses, shkodranët afrohen nga një rrugë tjetër dhe më e shkurtër në objektivin për një vend në Europë dhe pse jo për të mbyllur sezonin me një trofe.