Spektakël dhe plot 6 gola dhuroi mbrëmja e sotme në “Parc des Princes” mes Paris Saint Germain dhe Monacos, por në fund të dy skuadrat ndanë nga një pikë, duke mbyllur përballjen në barazim 3-3.

Sfida nisi të nxehet që në start, pasi Neymar kaloi parizienët në avantazh që në minutën e tretë, megjithatë reagimi i Monacos ishte i jashtëzakonshëm, pasi brenda 10 minutash shënoi dy herë me Gelson Martins dhe Ben Yadder, dhe përmbysi rezultatin.

Megjithatë pjesa e parë do të shkonte për vendasit, që barazuan fillimisht me anë të një autogoli dhe më pas gjetën golin e tretë sërish me anë të brazilianit Neymar, këtë herë nga pika e penalltive.

Në pjesën e dytë skuadra nga Principata e Francës arriti të gjejë golin e barazimit me anë të Slimanit dhe të marrë një pikë nga transferta kryeqytetase, ndërsa PSG mbetet në krye, por tani vetëm 5 pikë më tepër se Marseille.