Është mbyllur në barazim pa gola supersfida mes Teutës dhe Vllaznisë e vlefshme për javën e katërt të Kategorisë Superiore. Shkodranët e Brdariç, vazhdojnë të udhëheqin të pamposhtur në këto javët e para, duke marrë kështu një tjetër rezultat pozitiv në një transfertë të vështirë si ajo e Durrsit. Nga ana tjetër të besuarit e Edi Martinit, edhe pse me një lojtar më shumë për 20 minuta, nuk arritën të zhbllokonin sfidën, duke u larguar nga fusha me vetëm 1 pikë.

Te durrsakët mungonte për arsye disiplinore Lorenco Vila, i cili ka qenë një nga lojtarët kryesorë te skuadra e Teutës. Nga ana tjetër Vllaznia luante me të njëjtin formacion ashtu si ndaj Tiranës. Durrsakët vinin me motivim maksimal dhe dëshirën për të marrë maksimumin në këtë takim, pasi në tre javët e para kishin grumbulluar vetëm 5 pikë, por nuk e arritën fitoren, ndonëse për 20 minuta luajtën me një futbollist më tepër.Kjo pasi arbitri Hamiti ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë mbrojtësin nga Maqedonia e Veriut, Isaevski dhe la shkodranët me 10 vetë, pavarësisht protestave të shumta të kuqebluve, pasi pamjet filmike konfirmuan se ndërhyrja e mbrojtësit ishte e rregullt.

Rastet më të mira Teuta i pati me Dejvi Bregun e Emiliano Vilën, të cilët gabuan në finalizim, ndërsa Hebaj arriti të dërgojë topin në rrjetë me roveshiatë, por loja ishte ndalur më parë nga arbitri Hamiti.Nga ana tjetër shkodranët kërcënuan me Krujën e Dilaver, ndërsa rastin më të mirë e patën në minutën e fundit shtesë, me Dajan Shehin që gjuajti me kokë dhe topin që kaloi ngjitur me shtyllën e portës së Frashërit.