Edi Martini u rikthye të stërvisë në Superligë pas rreth 7 vitesh mungesë, teksa mori vendin e Blendi Shkëmbit te Teuta dhe startoi menjëherë me fitore minimale 1-0 përballë kampionëve në fuqi të Partizanit.
Riktheheni në Superiore me një fitore përballë kampionëve në fuqi…
Kjo është e rëndësishme, është kënaqësi e madhe. Vjen fitorja pas shumë vuajtjesh dhe përballë ekipit kampion.
Te Partizani pati kontestime për arbitrin…
Nuk dua të diskutoj për arbitrat. Unë nuk dua të flas, por është e vështirë të mos flasësh kur ka veprime që ndikojmë në lojë. E kemi kollaj të mos flasim për arbitrat kur fitojmë. Luftuam në fushë, kjo më gëzon, ekipi tregoi që ka zemër, ka shpirt.
Skuadra goditi shumë pak portën kundërshtare…
Për ne të rëndësishme ishin pikët, jo loja. E falënderoj dhe Blendin se ka lënë një ekip shumë të mirë. Kemi punuar në kohë të shkurtër, ndaj këto probleme do t’i rregullojmë në të ardhmen.
Beqja ishte shumë i nervozuar…
Beqja bëri një gabim që na la me 10 vetë, sepse mund të dilte lojtari i Partizanit me karton të kuq, por ka dhënë shpirtin në fushë. Në këto raste mund të dalësh nga vetja, por në të ardhmen duhet t’i shmangim këto gjëra të tilla.
Keni pasur vetëm dy ditë kohë për të përgatitur këtë ndeshje…
Ishte gjendje pak e trishtë, edhe nga largimi i trajnerit, por edhe nga rezultatet. Kam biseduar me secilin prej lojtarëve dhe kam munduar t’i çliroj nga ngarkesat psikologjike.