Teuta ia ka dalë të marrë tre pikët në sfidën shtëpiake ndaj Vllaznisë. Durrsakët e nisën jo mirë, teksa u ndëshkuan nga një gol i Gurishtës në minutën e 16. Në fakt një pjesë të madhe të meritës për golin e realizuar nga kuqeblutë e ka edhe Lika, i cili ekzekutoi mjeshtërisht goditjen e dënimit. Frashëri reagoi por sfera iu rikthyer Gurishtës që shënoi.

Megjithatë, vendasit ditën dhe gjetën forcat për të reaguar teksa barazuan pas shtatë minutash me anë të mbrojtësit Hoxha, i cili shtyu topin në rrjetën e boshatisur. Madje, pësoi një dëmtim të vogël prej kontaktit me shtyllën. Ndërkaq, kur dukej se pjesa e parë do mbyllej në barazim, ishte portieri Laço që gaboi. Dhe, aty Todorovski nuk fali dhe realizoi me një parabël nga jashtë zone.Kështu u mbyll edhe pjesa e parë, ndërsa fraksionin i dytë nisi më së miri për Teutën që gjeti edhe golin e tretë me anë të Lorenco Vilës.

Në vazhdim shkodranët provuan të shkurtonin diferencat por as Hristov e as Xhunior nuk ia dolën të mposhtnin Frashërin. Në këtë formë, Teuta mori fitoren mjaft të rëndësishme për synimet e tyre, ndërsa ngjiten në vendin e katërt me 35 pikë në klasifikim. Ndërkohë, nga ana tjetër Vllaznia ngelet në vendin e tetë me 28 pikë pas 22 javëve kampionat.