Javën e parë të kampionatit do ta kompletojë një sfidë interesante, ajo midis Teutës dhe Flamurtarit. Derbi i bregdetit sjell dy skuadra me ambicie të mëdha, të cilat kanë pësuar ndryshime gjatë verës, si në staf ashtu edhe në përbërje, por debutimi në kampionat pritet me interes për dy trajnerët, Bledi Shkëmbi dhe Ilir Daja. ë mësuar me trofe në Korçë, tashmë rrugën e suksesit po e kërkojnë edhe në bregdet.

Shkëmbi, pas aventurës pozitive në debutimin e tij si trajner me Lirinë e Prizrenit, ka një mision të vështirë. Teuta që pikësëpari ka ndryshuar në përbërje, duhet të bëjë diçka të tillë edhe në mentalitet, pasi në edicionet e fundit ka luftuar për mbijetesë. Afrime të rëndësishme kanë ndodhur tek djemtë e detit, me Shkëmbin që në merkato ka fituar një duel ndaj Dajës, pasi ka bindur qendërmbrojtësin Tefik Osmani t’i bashkohet projektit të Teutës, me lojtarin i cili ishte një dëshirë e trajnerit kryeqytetas për t’iu bashkuar në Vlorë.

Shkëmbi dhe Daja do të provojnë diçka të re, me 39-vjeçarin që ka një avantazh më të lehtë, pasi shkon në një klub të cilin e njeh mirë, duke qenë se me Teutën është aktivizuar si futbollist. Për më tepër që janë dy ambiente të ndryshme, me Durrësin që siguron qetësi maksimale për të punuar, ndërkohë që në Vlorë presioni është gjithnjë i madh. Megjithatë Daja ka në favor faktin që vjen si trajneri kampion, mbi të gjitha me një lojë cilësore.

Ka qenë sezoni 2015-2016, kur për herë të fundit ky derbi është luajtur në javën e parë, pikërisht në Vlorë dhe ka përfunduar me fitoren minimale të Teutës. Të dielën janë të shumtë ish-ët që do të zbresin në fushë, me javën e parë që parashikohet të mbyllet në mënyrë spektakolare.