Skuadra e Teutës hyn në ritëm të plotë stërvitor, në kuadër të nisjes së sezonit të ri të Superiores më 24 gusht. Teuta ka vazhduar me stërvitjet në Durrës, të cilat po mbahen me nga dy seanca në ditë. Mëngjesin e së hënës futbollistët e Teutës pritet të zhvendosen në qytetin juglindor të Korçës për të zhvilluar atje fazën përgatitore.

Futbollistët dhe stafi teknik i skuadrës po vazhdojnë punën me ritme të larta. Klima dhe ajri i pastër, të cilat i ofron ky vend, janë ideale për stërvitje. Futbollistët e Teutës në paraditen e djeshme punuan me ushtrime fizike dhe patën vrapime të gjata në pistën e stadiumit, ku po synohet përgatitja sa më e mirë fizike e futbollistëve të skuadrës durrsake para fillimit të këtij edicioni në Superligë.

Stërvitja e paradites së sotme zgjati për rreth një orë e gjysmë dhe u punua me ritme mjaft të larta, e cila shfaqi gjithashtu formën e mirë fizike të futbollistëve, të cilët po i përgjigjen pozitivisht programit të punës të caktuar nga stafi teknik i skuadrës së Teutës.“Djemtë e detit” vijuan edhe pasdite stërvitjen.

Ndërkohë, gjatë seancës së dytë stërvitore të premten është vënë re se trajneri e ka përqendruar punën e tij në pjesën taktike. Shkëmbi, në seancën e dytë stërvitore, në ndryshim nga ajo e paradites ku punoi me repartet në veçanti, e ka ndarë ekipin në dy grupe. Gjithashtu, tekniku ka zhvilluar dhe një minindeshje për rreth 20 minuta, për të vlerësuar dhe situata të ndryshme taktike të lojës.