Ndryshe nga sa pritej, Teuta ka zhgënjyer totalisht në Letoni, ku ka humbur me rezultatin e thellë 3-0 në sfidë ne parë eliminatore të Europa Leagues, përballë skuadrës së Ventspils.

Durrsakët u ndëshkuan që në minutën e pestë, kur Sergiychuk dërgoi topin në rrjetën e portës së Isli Hidit, ndërsa reagimi ishte i mirë, por sulmi i “djemve të detit” nuk arriti të rikthejë baraspeshën.

Në pjesën e dytë, kur pritej reagimi i durrsakëve, letonezët e Ventspilsit arritën të shënojnë edhe dy herë të tjera, me Ulimbasesv në minutën e 78’ dhe Aiyegun në të 88-ën, të cilët vulosën suksesin 3-0.

Sfida e kthimit mes dy skuadrave do të luhet javën e ardhshme në “Niko Dovana” të Durrësit, por rezultati 3-0 lë shumë pak shpresa për kualifikim, ndonëse niveli i kundërshtarit lë gjithçka të hapur.