Bie Vllaznia, shpëton Kamza ndërsa Luftëtari dhe Laçi sigurojnë kualifikimin në Europa League. Ishin këto verdiktet e javës së fundit të Kategorisë Superiore për edicionin 2017-2018. Fitorja me goleadë në Korçë përballë Skënderbeut me shumë mungesa dhe me mendjen te festa e titullit por edhe te finalja e Kupës, nuk i vlejti aspak Vllaznisë që u rrëzua zyrtarisht një kategori më poshtë. Për herë të tretë në historinë, klubi më i vjetër i futbollit shqiptar do të luajë në një kategori inferiore.

Rënia e Vllaznisë erdhi si pasojë e fitores së Kamzës që me një gol të Rezit në minutat e para të pjesës së dytë triumfoi 1-0 brenda në Selman Stërmasi ndaj Partizanit duke ruajtur avantazhin prej 2 pikësh ndaj kuqebluve në renditje.Vllaznia në krahun tjetër dominoi Skënderbeun në Korçë duke realizuar 4 herë në portën e Aldo Teqjas për një sukses me shifrat 5-1, me gola të Xhevahir Sukajt me penallti, Arlind Kalaja-s, 2 golësh të Eraldo Cinarit dhe finalizimin e Renato Malotës. Golin e vetëm për Skënderbeun e realizoi Nazmi Gripshi.

Bëri detyrën Luftëtari që falë suksesit 1-2 në Lushnjë e mbylli zyrtarisht kampionatin në vendin e 3-të, duke siguruar kualifikimin historik në Europa League për herë të parë në historinë e klubit. Autogoli i Alushit dhe goli i Shkurtajt ishin mëse të mjaftueshëm për gjirokastritët.Bëri detyrën edhe Laçi që në shtëpi mposhti 4-2 Teutën duke blinduar pjesëmarrjen në Europë, me vendin e 4-ët, ndërkohë që Partizani e mbylli i 5-ti dhe do të presë të mësojë se çfarë vendimi do të japë UEFA për Skënderbeun, nëse të kuqtë do të luajnë ose jo në Europë sezonin e ardhshëm.

Reginaldo, Jonuzi dhe Uzuni që realizoi dy herë ishin autorët e golave për Laçin ndërsa për Teutën barazoi përkohësisht shifrat Peqini ndërsa golin e dytë e realizoi Hila. Sfida me më pak interes në këtë javë të fundit të Superiores ishte ajo që u zhvillua në Zeqir Ymeri mes Kukësit dhe Flamurtarit. Përfundoi 2-2 me Sindrit Gurin që e mbylli me një gol aventurën e tij te Kukësi por pa mundur dot të shpallet golashënuesi më i mirë i këtij sezoni pasi Këpuca e Artë shkoi për Ali Soëe të Skënderbeut autori i 21 golave.