Në një sezon ka momente ku gabimet marrin një dimension tjetër, p.sh. një barazim në Ballsh, kundër Bylisit, më 29 nëntor nuk ishte “një grusht në stomak” për Teutën, madje mund të konsiderohej edhe si një pikë e fituar e jo dy të humbura.

Më 7 mars rëndësia e ndeshjes ishte në një tjetër shkallë, në një tjetër dimension, dhe barazimi nuk ishte paqja që duhej të synonte Teuta, sepse rruga e vetme për të ndezur flakë durrsakët ishte fitorja.Nuk erdhi dhe ka një ndjenjë zhgënjimi tek i gjithë ambienti.

“Djemtë e Detit” për herë të 3-të në 3 ndeshjet e fundit nuk kanë mbrojtur avantazhin, ndodhi dy herë me Kukësin dhe tashmë kundër Bylisit.Teuta ka lëshuar pikë edhe më herët gjatë kampionatit, si p.sh. barazimi me Kukësin apo ai me Skënderbeun në fillim, por në këtë pikë të kampionatit nuk duhet që kjo skuadër t’i tolerojë vetes dhurimin pa dashje të 4 pikëve, duke qenë në epërsi.

Ky sezon po rezulton si një prej edicioneve me më shumë ekuilibër në dekadën e fundit, nuk ka një ekip superfavorit dhe, duke qenë që diferencat janë të pakta, hapësira për të gabuar është ngushtuar shumë për Teutën.