Sami Khedira nuk udhëtoi me Juventusit për ndeshjen e Championsit me Atleticon për një arsye shumë të rëndësishme që ka të bëjë me shëndetin e tij. Mesfushori gjerman u detyrua të bënte një “pit stop” për shkak të një shqetësimi në zemër (atrial arrhythmia). Një lajm që erdhi si rrufe në qiell të hapur për Juventusin dhe, mbi të gjitha, për vetë mesfushorin.

Në kampin bardhezi me të drejtë u shqetësuan për futbollistin, që ndjeu rrahje të parregullta të zemrës, ndërsa stafi mjekësor konstatoi aritmi kardiake. Problemi duket të jetë shumë i ngjashëm me atë të Stephan Lichtsteiner, midis 23 shtatorit dhe 3 nëntorit 2015.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, nëse testet elektrofiziologjike konfirmojnë hipotezën e parë, Sami Khedira duhet të mungojë për 30-40 ditë. Do të jetë vendimtare të kuptohet nëse lojtari gjerman do të duhet të operohet apo jo.Stephan Lichtsteiner u operua në atë kohë, pastaj u kthye me shpejtësi “ekstreme”, për një muaj e gjysmë. Massimiliano Allegri dhe të gjithë juventinët shpresojnë se e njëjta trajektore e kalimit të problemit do të jetë edhe për Sami Khedira.