Valentino Rossi infektohet me COVID-19. Lajmin e ka dhënë vetë piloti i njohur i motoçiklizmit në Itali nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Ai shpjegoi se testi i parë i doli negativ, ndërsa i dyti i bërë mëngjesin e së enjtes rezultoi pozitiv. Piloti shpjegoi se ka pasur temperaturë të lehtë, dhembje trupi dhe debulesë.

“Fatkeqësisht mëngjesin e sotëm nuk ndihesha mirë. Isha si i lodhur dhe mezi lëvizja, kisha dhe një temperaturë të lehtë. Thirra menjëherë mjekun dhe më pas më bënë tamponin. Rezultani i testi të shpejtë PCR ishte negativ, ashtu si ai që kisha bërë të martën. Por tamponi përgjigjja e të cilit më erdhi sot pasditë në orën 16:00 rezultoi pozitiv”- shpjegon piloti 9 herë kampioni bote.

41-vjeçari fatkeqësisht duhet të heqë dorë nga gara e së dielës dhe asaj të një jave më pas në Spanjë.

“Jam shumë i zhgënjyer, për faktin se nuk do të marr pjesë në garën e Aragon. Jam shumë i mërzitur sepse unë kam respektuar të gjitha rregullat e COVID-19. Por skam ç’të bëj nuk bëj dot gjë për të ndryshuar”– përfundon piloti.

Rossi është piloti i dytë që rezulton pozitiv pas spanjollit Jorge Martin, i cili u detyrua të humbasë dy gara Moto2. Momentalisht, Valentino është në Tavullia, ku arriti të dielën pas garës në Francë. Ai ka qëndruar në shtëpi dhe nuk kishte asnjë kontakt me pilotët e tjerë të Akademisë dhe anëtarët e ekipit të tij.