Futbolli holandez do të eksperimentojë një vendim historik që mund të ndryshojë përgjithmonë fytyrën e këtij sporti. Që nga ky sezon, një femër mund të luajë në ekipin e të rriturve me meshkujt. Ajo që do të eksperimentojë për here të parë këtë vendim është 19-vjeçarja Elen Fokema, e cila do të bëhet femra e parë e rritur që merr pjesë në një turne federal bashkë me kolegët e saj meshkuj.

Fokema është pjesë e VV Foarut në kategorinë e katërt holandeze dhe ka marrë leje për të luajtur në ekipin e meshkujve, pasi kishte qenë më parë me bashkëmoshatarët e saj në ekipet e akademisë.Në Holandë, prej shumë vitesh lejohet që ekipet e akademisë të jenë të përziera e ajo kishte qenë që në moshë të vogël përkrah djemve. “Është fantastike të mund të vazhdoj të luaj në këtë ekip. Luaj me këta djem që kur jam 5 vjeçe dhe do të më vinte keq që të mos isha përkrah tyre në vitin tjetër. Do të jetë një sfidë. Ia kërkova klubit dhe bashkë me Federatën u mor ky vendim”, tha ajo.