Teuta humbet shërbimet e mbrojtësit Blagoja Todorovski. Trajneri Bledi Shkëmbi nuk do të ketë në dispozicion për ndeshjen e kthimit me Ventspils një futbollist tepër të rëndësishëm. Maqedonasi ka pësuar një dëmtim në stërvitje dhe nuk do të jetë i gatshëm për përballjen me letonezët.

34-vjeçari që luan në krahun e djajthtë të mbrojtes ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë dhe do të qëndrojë disa javë jashtë fushave të blerta. Një mungesë e madhe për bregdetarët, teksa maqedonasi erdhi si zëvendësuesi i Frashërit, i cili u largua nga Teuta pas 6 muajsh.

Në vend të tij, trajneri Bledi Shkëmbi do të aktivizojë polivalentin Fabjan Beqja. Durrsaku në ndeshjen e parë në Letoni luajti në krahun e  djajthtë të mesfushës, ndërsa tani do të tërhiqet më pas ku detyrat më të mëdha do t'i ketë të ndihmoj në fazën difensive.

Me përjashtim të Todorovski, i gjithë grupi është i gatshëm për sfidën që do të zhvillohet të enjten në orën 17:00 në staduimin "Niko Dovana". Në dy seancat e fundit stërvitore stafi teknik ka punuar më tepër në aspektin tekniko-taktik dhe ushtrime për të mbërritur me pasime të shpejta tek porta e kundërshtarit.

Shkëmbi ka kërkuar saktësi dhe efikasitet përpara portës nga futbollistët e tij. Kundër Ventspils, Shkëmbi do të aplikoj modulin 4-3-1-2 me dy sulmuese pykë. Bushic dhe Nikac. 28-vjeçari edhe pse është bashkuar së fundi me skuadrën ka treguar një nivel të kënaqshëm në stërvitje dhe bregdetarët besojnë se ai do të jetë çelësi për të fituar ndaj letonezëve.