DURRES, 20 shkurt 2013– Seria e takimeve të pasdites së sotme zhvilluar në Ramzan Njala, u hap me ballafaqimin Erzeni – Elbasani, në kuadrin e Volej Liga (ekipet që luftojnë nga vendet 5-8) në kampionatin shqiptar të volejbollit për meshkuj.

Fitorja e thellë në sete e Elbasanit, nuk ka qenë tek pikët. Erzeni ndonëse debutues, mund të realizonte tjetër fitore në shtëpinë e tij.

Por volejbollistët e tij nuk arritën të ruanin qetësinë në çastet finalizuese të seteve.

Ndonëse të mbetur me vetëm 7 volejbollistë, shijakasit i shpërndanë mirë forcat por tek ta u ndje lodhje.

Përkundrazi ekipi udhëtues, mbeti më i freskët dhe në sajë të një loje më racionale dhe efektive arriti të ekuilibrojë epërsinë e kundërshtarit dhe të zgjidhë në favor të tij situatat delikate që u krijuan.

Erzenit i iku nga duart seti i dytë pas 10 barazimeve dhe nuk i disiplinoi emocionet edhe në fazën përmbyllëse të setit të tretë.

Gjithsesi fitorja e ekipit të Elbasanit mbetet e merituar edhe se u arrit ndaj një rivali që e kishte mundur në fazën e dytë të kampionatit.

ERZENI: Kaja, Istrefi, Vora, Rusi, P. Uruçi, Sh. Uruçi, Biduli. Trajner: A. Gjeçi

ELBASANI: Çefa, Pirra, Lamçja, Mano, Kallajxhi,Zenelhoxha, Çullhai, Agushi, Gashi.

Trajner: A. Miraku

GJYQTARË: M. Kondakçi, Ç. Kojku

/B. Qesja Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/