17 nëntor 2015 – Legjenda e Barcelonës, Xavi zbuloi se përshtypja e tij e parë për trajnerin holandez, Louis van Gaal nuk ishte shumë pozitive, teksa spanjolli u shpreh se kur holandezi erdhi në stolin e Barcelonës, ai mendoi se ishte “një idiot”.

Trajneri holandez fitoi dy tituj kampionë në drejtim të Barcelonës, një Kupë Mbreti dhe një Superkupë UEFA. Ndërkohë që mesfushori spanjoll pranoi se mendimi i tij i parë për Van Gaal nuk ishte pozitiv, tashmë ai flet me lëvdata për trajnerin aktual të Manchester United. “Pas dy ditësh stërvitje me të, mendova, “Kush është ky idiot?”, deklaroi Xavi gjatë një interviste për “ESPN”.

“Pas një jave mendova ‘Paska të drejtë’. Gjithmonë do të kem konsideratë për Van Gaal-in. Ai është një person i mirë dhe një trajner shumë i zoti. Ai ka një karakter të fortë, por në Premier League është më i qetë pasi presioni nuk është aq i madh sa në Spanjë. Tani është shumë më i qetë se sa kur drejtonte Bayernin apo Barçën. Van Gaal është një trajner i ndershëm, ka metodat e tij autentike dhe është perfeksionist në maksimum. Është shumë kërkues dhe i rreptë pasi dëshiron të arrijë nivelin më të lartë.”

Ish-shoku i ekipit të Xavi-t, Victo Valdes po kalon një periudhë të vështirë nën drejtimin e Van Gaal, teksa është lënë jashtë ekipit dhe është kritikuar shpesh herë nga holandezi. Valdesit i është thënë se mund të gjobitet nëse merr pjesë në seancat stërvitore të “djajve të kuq”, por Xavi shpreson që të zgjidhet sa më shpejtë situata midis portierit spanjoll dhe trajnerit holandez.

“Van Gaal dhe Valdes janë dy persona me personalitet të madh, por kjo është një situatë e vështirë për Victorin. Shpresoj të gjendet sa më shpejtë një zgjidhje. Më vjen keq për të. Është një profesionist i vërtetë. Po stërvitet dhe po punon mirë. Jam i bindur se do të rikthehet shumë shpejt të luajë.”

35-vjeçari, i cili aktualisht luan te ekipi i Al Sadd, u shpreh i çuditur me stilin e lojës që ka imponuar Mourinho tek ekipet që ka drejtuar, pasi sipas tij është shumë ndryshe nga ajo që praktikonte në kohën kur ishte asistent i Van Gaal-it te Barça. “Ai ishte asistent trajneri, dikush që kuptonte shumë mirë filozofinë e futbollit te Barça dhe kishte të njëjtat karakteristika si Van Gaal. Gëzonte respektin e të gjithë lojtarëve. Stërvitej me ne disa herë dhe ishte një takticien i përkryer. Më vjen habi që u bë i njohur për një tjetër stil futbollit, më mbrojtës, pasi me ne ishte shumë ndryshe.”

/portali DurresLajm/