Boksieri bullgar, i cili humbi jetën në Shkodër fundjavën e shkuar, nuk ishte Jezus Velichkov, por Boris Stancov, i cili ka marrë pjesë në këtë aktivitet me dokumenta të falsifikuara. 

22-vjeçari humbi jetën pas një arresti kardiak në raundin e katërt, pa patur ndonjë sulm të ashpër ndaj tij. Nuk dihet ende arsyeja se përse stafi dhe trajneri bullgar e ka rrezikuar Boris Stancovin të garojë me dokumenta false të një kushëriri të tij boksier profesionist.

I pyetur nga mediet bullgare vetë Velichkov, i cili u njoftua se humbi jetën në momentin e parë, ka theksuar: “Kishte që nga viti 2018 që mbante kartën time të identitetit, ai më thoshte se nuk ka problem, pasi trajneri e dinte këtë gjë.”

Dy boksierët nuk kanë ndonjë ngjashmëri me njëri-tjetrin, përpos kësaj, për të marrë pjesë në një aktivitet të tillë të boksit profesionist, duhen tre dokumente kryesore: një licencë prej boksieri profesionist, autorizim dhe leje nga federata si dhe kartelën mjekësore.

Nuk dihet nëse të gjitha këto dokumente, të paraqitura tek organizatorët, kanë qenë të falsifikuara. Identiteti i rremë duket se është zbuluar një status në Facebook i Jezus Velichkov, ku i drejtohet me një mesazh prekës kushëririt të tij që humbi jetën: 

“Pusho në paqe kampion, ti do të jesh gjithmonë në zemrat tona!” Bordi drejtues i Unionit të Boksit Profesionist Bullgar është mbledhur pasditen e së hënës për të hedhur dritë mbi ngjarjen.