Igli Tare drejtori sportiv i Lacios, flet për veten e tij, Lacion dhe jo vetëm, në një intervistë të gjatë për “Corriere dello Sport”. Ish-sulmuesi shqiptar, është shprehur mbi interesin që Milani kishte për të dhe për lidhjen që ai ka me Lacion.

Lacio? “E kuptoj që Lacio është një emër i rëndësishëm kur shkoj jashtë shtetit, ne duam ta çojmë shoqërinë aty ku meriton të jetë. Para se të largohem, këtu unë do të mendoj gjithmonë se kam krijuar diçka të bukur, se bashku me të gjithë”.

Inzagi-Lotito? “Nuk kishte asgjë mes tyre, duhej pak kohë për të reflektuar. Vullneti i trajnerit ishte të nënshkruante për më shumë se një vit, në fund të fundit ishte një zgjedhje e duhur”.

Saki? “Unë e doja futbollin e Sakit,  dhe pranova komplimentet e tij që më bënë krenar, kur më telefonoi”.

Oferta e Milanit nga Boban dhe Maldini? “E njoha Bobanin. Ai ishte idhulli im dhe ai e di arsyen. Unë e njihja atë si lojtar dhe u njoha më mirë me të në këtë rast. Ai është një person shembullor. Unë bëra zgjedhjen time për Lacion, me të njëtën dashuri që ata më kërkuan mua. Kuptova që largimi nga Lacio do të ishte diçka e gabuar. Vendosa me zemrën time, jo për para”.

Milinkoviç? “Nëse ai do të ishte larguar, Yazici do të kishte mbërritur, por kishte dhe një emër tjetër. Sergej është një nga më të mirët në botë. Nëse velen 100 milionë? Ka lojtarë që bëjnë pjesë në një merkato të veçantë”.