20 nëntor 2014 – Tashmë është zyrtare, Fernando Alonso lë Ferrarin. Në vitin e ardhshëm do të zëvendësohet nga Vettel, Fillimisht skuadra nga Maranello lajmëroi ndarjen nga piloti spanjoll nderkohë që vetëm pak minuta më vonë bëri të ditur se pilotët e vitit të ardhshëm do të jenë Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen , duke zyrtarizuar dhe angazhimin e gjermanit 4 herë kampion bote në Formula Një. Lajmi erdhi pas orëve të mëngjesit ku bosi i ferrarit Marco Mattiaci foli me skuadrën në bokse në Abu Dhabi. Pas Mattiacit i takoi Alonsos që të kryente përshëndetjen e lamtumirës me një diskutim me inxhinierët dhe mekanikët. “ Jam i lumtur që kam qenë një pilot i ferrarit, kam dhënë gjithmonë maksimumin, ishte një eksperiencë shumë i bukur, i falënderoj të gjithë”. Ishin këto fjalët e lamtumirës së Fernando Alonsos që zbret nga timoni i kokëkuqes pas pesë vjetësh ku koleksionoi 1186 pikë, 11 fitore dhe 44 ngjitje në pod. Spanjolli ja lë vendin 4 herë kampionit të botës Sebastian Vettel që foli për herë të parë si një pilot i skuadrës italiane që nga Abu Dhabi. “ Vendimi për të kaluar te Ferrari natyrisht që nuk ishte një vendim i marrë brenda natës. Është një zgjedhje e arsyetuar gjatë dhe e marrë së pari pasi ka qenë një ëndërr e imja që fëmijë dhe e dyta pasi ishte gjëja e duhur për të bërë në karrierën time, me objektivin për të fituar sërish dhe rikthyer Ferrarin në maja. Kujtimi i parë në lidhje me këtë skuadër është ai që kam për Michael Schmuacher në kohët e Ferrarit. Për të gjithë ne fëmijët ishte një hero, për këtë arsye Ferrari është kaq e rëndësishme për mua. Është një ëndërr fëmijërie”. Bosi i Ferrarit Marco Mattiaci deklaroi se me këtë zgjedhje Ferrari ka vendosur ti japë besim kampionit të shumëfishtë më të ri në historinë e Formula Një. Sebastian Vettel përfaqëson një kombinim unik rinie dhe eksperience dhe sjell në skuadër një shpirt skuadre thelbësor për të  përballur bashkë me Raikkonen sfidat e shumta dhe për të hapur një kapitull të ri në historinë e Ferrarit.