Joan Laporta është presidenti i ri i Barcelonës. Ish-numri 1 “blaugrana” midis viteve 2003 dhe 2010, do të qëndrojë në detyrë për gjashtë vitet e ardhshme. Ai fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale të klubit katalan me 78.85% të votave. Më saktësisht, ai mori 19 675 vota.Pas Laportas u renditën Víctor Font me 10 598 preferenca dhe Toni Freixa me 3399, ky i fundit një mbështetës i hapur i ish-presidentit Bartomeu. Për kreun e ri të klubit “blaugrana” votoi edhe Lionel Messi.

Me triumfin e tij këtë të diele, Laporta kthehet për të mbajtur pozicionin që e ka mbuluar në një periudhë që përkon me sukseset e mëdha të Barcelonës më të mirë në histori, të asaj skuadre spektakolare që drejtohej nga Pep Guardiola.Sfida për Laportën do të jetë e madhe, pasi situata e përgjithshme e Barcelonës është delikate, si në sport ashtu edhe në ekonomi, për shkak të keqmanaxhimit të kupolës së mëparshme drejtuese.

Hapi i parë, dhe më i rëndësishmi, drejt një rilindjeje të Barcelonës, do të jetë bindja e Lionel Messit për të qëndruar me “blaugranat”. Laporta, në fakt, u shfaq shumë i sigurt kur u pyet mëngjesin e së dielës nëse do ta telefonojë babanë e Messit, Jorgen, pasi të fitojë zgjedhjet: “Nuk do të pres të nesërmen. Mund të flas me të që sonte. Nata është e gjatë”.