Tatimorët mbyllin plazhet e paliçensuara

18/06/2012 - 00:00

 

Inspektorët e tatimeve pranë bashkisë janë ata që duhet të kryejnë formalizimin e subjekteve, por në të vërtetë ata janë të parët që përfshihen në pazare me subjektet e paliçensuar”,- thotë drejtori i Tatimeve në Durrës, i cili thekson se ka munguar në mënyrë absolute bashkëpunimi me bashkinë për evidentimin e subjekteve të përfshira në evazion fiskal

“Është një situatë absurde, pasi 90% e aktiviteteve janë të paregjistruar e të palicensuar ndërsa tatimorët e bashkisë dhe policia bashkiake janë bërë  ose sekserë ose pronarë të këtyre aktiviteteve ilegale, të cilat nuk figurojnë të regjistruara në organet tatimore”,- deklaroi drejtori i tatimeve të Durrësit, Shkëlqim Fortuzi, i pyetur nga “Dyrrah”. Drejtoria Rajonale Tatimore nisi aksionin e saj duke sekuestruar shezlonge të subjekteve private të paliçensuara nga zona e Kallmit duke u shtrirë në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit. Objekt i aksionit janë kontrolli i subjekteve private, që operojnë në sipërmarrjen plazh privat, ku rezulton se 40% e sipërfaqjes e konsideruar plazh publik është zaptuar forcërisht, ndërsa rreth 90% e të gjithë subjekteve që ushtrojnë aktivitetin, nuk janë të liçensuar.

Nga informacionet që bën publike dega e Tatimeve janë mbyllur 12 subjekte që ushtronin aktivitetin si plazhe private të paregjistruara në zonën nga Plazhi i Currilave deri tek Plazhi i Hekurudhës si dhe janë konfiskuar rreth 250 çadra dhe shezlone, të cilët i përkisnin këtyre subjekteve. “Për një plazh privat në Durrës taksa është 3.6 milionë lekë të vjetra për 200 metra katrorë dhe pavarësisht rritjes së taksës, sërish hapësirat janë tërësisht të zëna, sepse inspektorët e tatimeve pranë bashkisë janë ata që duhet të kryejnë formalizimin e subjekteve, por në të vërtetë ata janë të parët që përfshihen në pazare me subjektet e paliçensuar”,- thotë drejtori i Tatimeve në Durrës, i cili thekson se ka munguar në mënyrë absolute bashkëpunimi me bashkinë për evidentimin e subjekteve të përfshira në evazion fiskal.

Konfiskohen lokale të lojërave të fatit

Gjatë kësaj jave janë konfiskuar një numër i konsiderueshëm makinerish lojërash fati, në subjekte të cilat rezultonin informalë. “Në ditët e fundit numërohen gjithsej 30 raste konfiskimi malli nga strukturat e Hetimit Tatimor”,- deklaroi kreu i tatimeve Shkëlqim Fortuzi. Gjatë aksioneve të tatimorëve, janë konfiskuar 13 makineta te mëdha APEX, monitorë, njësi qëndrore dhe kompjutera për bastet sportive me vlerë rreth 9 milion lekë. Ndërkaq një numër i madh gjobash me vlerë 70 milionë lekë janë vendosur nga tatimorët e Durrësit në subjektet që lëshonin kuponin tatimor dhe nuk kishin deklaruar fuqinë punëtore. “Nuk do të lejojmë asnjë subjekt të ushtojë veprimtari abuzive”,- deklaroi Fortuzi. Së fundi, tatimorët e Durrësit kanë gjobitur një hotel me gjobë në vlerën 4.5 milionë lekë të reja, sepse nuk shpërndante kuponin tatimor. Janë penalizuar për moslëshim kuponi tatimor rreth 25 subjekte me gjoba prej 6 milion lekësh si dhe janë penalizuar për punonjës të padeklaruar rreth 45 subjekte me gjobë në vlerën 4.5 milion lekë.

 

 

 

 

 

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: