Kur flitet për motorë kërkimi, mendimi shkon menjëherë te Google, i cili është padyshim një ndër më të mirët. Por ekzistojnë edhe shumë alternativa të tjera, që krahasuar me Googlen, kanë funksione “të veçanta”.

“Krijesa” e Mountain View ka ndryshuar shumë me kalimin e kohës dhe është bërë gjithnjë e më efikase në plotësimin e kërkesave të përdoruesve. Numri i faqeve që shikohen nëpërmjet Google shkon në dhjetëra miliarda në ditë. Dhe është pikërisht kjo një ndër pikat e forta të Google: aftësia e tij për të ndryshuar vazhdimisht.

Të gjesh diçka më të mirë duket e pamundur. Për shumë njerëz, të përdorësh një motor të ndryshëm kërkimi duket irreal. E, megjithatë, nuk është gjithnjë kështu. Ekzistojnë motorë kërkimi alternativë, nëpërmjet të cilëve ju mund të merrni rezultate shumë më të mira.

1.Ecosia

Është një motor kërkimi vërtet i veçantë: 80 për qind e të ardhurave nga reklamat, që fitohen nëpërmjet lundrimit të përdoruesve, shkojnë në projekte që kanë si synim mbjelljen e pemëve në Burkina Faso, Madagaskar, Indonezi dhe Peru. Në faqen kryesore, poshtë shiritit të kërkimit, shfaqet numri i pemësh të mbjella, i cili rritet çdo sekondë – ky numër sot është më shumë se 8 milionë.

2.Yippy

Yippy është një motor kërkimi që kombinon rezultatet e kërkimit në grupe: mjaft që të shkruani fjalën çelës dhe motori do t’ju përgjigjet duke ju shfaqur një listë faqesh. Diferenca është që në pjesën e majtë janë të dukshëm ‘cluster’ të ndarë në kategori. Në këtë mënyrë, Yippy ju mundëson një kërkim më të thelluar.

3.Qwant

Qwant cilësohet si motori i kërkimit që respekton privatësinë. Ngjan pak me DuckDuckGo. E veçanta e Qwant është që nuk përdor cookie apo instrumente të tjerë për të përgjuar përdoruesit. Përveç shiritit të kërkimit, Qwand shfaq edhe një sërë informacionesh të ndara në kategori.

4.Kiddle

Kiddle është një motor kërkimi i sigurt për fëmijë. Bëhet fjalë për një version të personalizuar të Google që lejon të kërkohen vetëm informacione të përshtatshme për fëmijët, duke bllokuar rezultatet e papërshtatshme për të vegjlit. Motori i kërkimit përfshin katër kategori: web, imazhe, lajme dhe video. Megjithatë, Kiddle nuk është versioni zyrtar i Google për fëmijë.

5.Giphy

Giphy, siç mund të kuptoni edhe nga emri, është një motor kërkimi i specializuar në GIF. Giphy ju lejon të gjeni vetëm imazhe të animuara dhe funksionon duke shkruar fjalën kyçe në motorin e kërkimit. Ju mund të lundroni në kategoritë e shumta ku janë mbledhur GIF.

6.iFind3D

Ky është një motor kërkimi vërtet i veçantë, i dobishëm për të kërkuar modele 3D të printueshme. iFind3D, i zhvilluar nga një shitës me pakicë printerësh 3S nga Holanda, mbledh në një vend të vetëm rreth 750 mijë imazhe, të cilat mund të ruhen ose shkarkohen. Për momentin iFind3D është i disponueshëm vetëm në versionin beta.

7.Nasa Images

Nasa Images është padyshim, mbi të gjitha për ata që janë të pasionuar pas astronomisë, një ndër motorët më të mirë për të kërkuar imazhe të shkrepura në hapësirë. Nasa Images mbledh mijëra foto, video dhe file audio nga National Aeronautics and Space Administration gjatë misioneve të saj.

8.Arianna

Është një motor kërkimi “made in Italy”. Arianna mbështetet në teknologjitë e Bing dhe suporton asistentët kryesorë personalë: Cortana, Bing dhe Alexa. Në vitet e ardhshme, përdoruesit do të mund ta pyesin motorin e kërkimit drejtpërdrejt me zërin e tyre. /Monitor/