Shitjet e "iPhone" ranë në nivelin më të ulët gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Megjithatë, fundi i muajit mars duket se ka treguar shenja stabilizimi. "Apple" deklaroi se të ardhurat nga shitja e "iPhone" u ulën me 17%, që në të ardhura përkthehet 31 miliardë dollarë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Tim Cook, tha se shitjet pësuan një rritje të lehtë në fund të marsit, duke përfshirë edhe tregun kinez. Në Kinë, "Apple" uli çmimin e "iPhone" me qëllimin për të rritur kërkesën për blerje, gjë që u reflektua menjëherë. Vetë kompania kishte paralajmëruar për ngadalësimin e shitjeve të "iPhone" në fillim të vitit, veçanërisht në Kinë ku konkurron me rivalë më të lirë, si Huawei dhe Xiaomi.