Shumë pak smartphone të rinj u prezantuan këtë vit në CES 2020 dhe kjo pasi eventi i vërtetë dedikuar kësaj kategorie nuk ka mbërritur ende: Mobile World Congress mbahet edhe këtë vit në Barcelonë dhe është ky vendi i duhur ku çdo kompani, sapo pak e përfshirë në botën e smartphone, prezanton risitë e saj për këtë vit.

Por, çfarë duhet të presim nga MWC 2020? Kjo është një listë e përgatitur nga Geek Room, i cili këtë vit ka pafund surpriza për tu zbuluar me kalimin e ditëve.

Kur ndodh?

Eventi zhvillohet në 24-27 Shkurt në Fira Gran Via të Barcelonës dhe mendohet të vizitohet nga mbi 110,000 persona. Kompanitë kryesore shfrytëzojnë fundjavën para nisjes (22-23 shkurt) për të prezantuar produktet e tyre në evente të veçanta në Barcelonë, kështu që prisni të mësoni të reja që nga data 22.

Të gjithë do të flasin për 5G…sërish

Prej shumë vitesh 5G ka qënë kryefjala e MWC e cila do të jetë e tillë edhe këtë vit, me ndyrshimin e vetëm se gjatë 2020 do të shohim më shumë produkte konkrete që ofrojnë këtë shërbim. Përveç smartphone-ve, në MWC presim të zbulojmë edhe teknologji të reja rreth 5G nga kompani si Qualcomm, MediaTek dhe Huawei.

Samsung

Samsung nuk ka njoftuar asnjë event gjatë MWC pasi produkti i ri S20 do të prezantohet në 11 shkurt në San Franciso. Por Barcelona, do të jetë qyteti i parë europian i cili do të ketë mundësinë të shohi nga afër familjen e re të S20 dhe dy versionet e Fold.

Mësohet se Samsung edhe këtë vit ka rezervuar një prej hapsirave më të mëdha e cila na bën të mendojmë se ky event nuk do të kalojë pa diçka të re. Vjet në MWC u prezantua linja e re e serisë A dhe Tab S5e, këtë vit me shumë mundësi do të kemi një lajm nga seria e mid-range.

Google

Google zakonisht zë një hapsirë gjigande midis sallave të MWC ku ekspozon të gjitha shërbimet që kompania ofron. Prej vitesh, fansat e Android vihen në garë për të mbledhur Android Pins të cilat gjenden në shumë stenda (disa t’i japin falas, disa të kërkojnë të kalosh një test produkti apo pyetësor). Risi në software pritet të lançohen përmes kompanive bashkëpunuese.

Sony

Sony ka konfirmuar organizimin e konferencës në datë 24 shkurt, 08:30, gjatë së cilës pritet të prezantohet Xperia 5, një smartphone i kategorisë mid-range. Zërat online sugjerojnë edhe për një flagship phone të prezantuar gjatë së njëjtës konferencë.

Huawei

Në MWC 2019, Huawei na habiti me Mate X, një folding phone fantastik i cili arriti të mbizotëronte në cilësi krahasuar me Fold të Samsung. Këtë edicion të MWC, është konfirmuar se do të shohim një Mate X të ri dhe të përmirësuar.

Përsa i përket P40, Huawei mendohet ta prezantojë në Paris në fund të marsit. Kuriozë jemi të shohim edhe ndonjë reagim nga Huawei rreth çështjes së ndalimit në SH.B.A.

LG

Sigurisht që edhe ky edicion do të ketë një smartphone të ri nga LG dhe këtë vit mendohet të jetë LG V60 ThinQ. Ashtu si G8X ThinQ edhe V60 do të ketë një ekran shtesë i cili do të vijë si aksesor i jashtëm, me shpresën se kualiteti do të jetë më i mirë se ai paraardhës.

Honor

Të prezantuar pak javë më parë në Kinë, këtë vit MWC do të njohi nga afër përmes një konference dy produkte të reja: View 30 Pro dhe 9X Pro. Përveç tyre pritet që nga Honor të shohim edhe një version të ri të MagicWatch 2 dhe dy laptop MagicBook.

Xiaomi

Pritshmëri shumë të larta për kompaninë e cila po çmend tregun kinez! Xiaomi ka parashikuar tashmë një konferencë të madhe gjatë MWC 2020 në të cilën me shumë mundësi do të njihemi me Mi 10 dhe Mi 10 Pro.

Oppo

Një tjetër kompani kineze do të prezantojë të paktën një smartphone këtë edicion të MWC. Të pajisur me një selfie camera të fshehur nën ekran, Oppo do të na njohi me Find X2, i cili fuqizohet nga Snapdragon 865.

Vivo

Vivo rikthehet pas një viti mungesë dhe këtë rikthim sigurisht që kompania ja dedikon një prezantimi të fuqishëm. Të njohur për koncepte revolucionare këtë vit të gjithë presim me padurim Apex 2020, një smartphone pa korrniza dhe me ekran të harkuar.

Të tjera kompani nga të cilat presim të shohim produkte, por nuk kemi asnjë informacion, janë: Nokia (HMD Global), BlackBerry, Motorola dhe Microsoft i cili pritet të prezantojë Surface Duo. /Geek Room