A do të mbijetojë TikTok?

18/10/2020 - 08:16

Ndryshimet në TikTok dhe Arm janë shenja që tregojnë një të ardhme të vështirë...

Më 6 gusht, kur Shtëpia e Bardhë i tha TikTok se kishte 45 ditë kohë për t’u mbyllur ose për të gjetur një blerës amerikan, ekzistonte rreziku që aplikacioni i videove me pronësi kineze, të zhdukej nga Amerika, duke zemëruar 100 milionë përdoruesit e tij në SHBA dhe duke shkaktuar me miliarda dollarë humbje nga pasuria e investitorëve, shkruan The Economist.

Tani duket se është gjetur një rreng i minutës së fundit. TikTok ka thënë se do të hyjë në një partneritet kompleks me Oracle, një gjigant i teknologjisë amerikane, me synimin për të treguar se është më tepër nën ndikimin amerikan. Pak ditë më parë, kompania amerikane Nvidia, ofroi 40 miliardë dollarë për Arm Holdings, një firmë me bazë britanike për krijimin e çipave, duke shkaktuar një stuhi në Britani në përpjekjen për të ndaluar që kampioni i saj teknologjik të tërhiqej në luftën tregtare të Amerikës.

Këto dy evente aspak të rastësishme, janë sinjalet e para që tregojnë se si epoka e re e nacionalizmit do të ndryshojë mënyrën e drejtimit të firmave shumëkombëshe – për keq.

Të dyja kompanitë i kapërcejnë ndarjet gjeopolitike dhe janë në zemër të ekonomisë dixhitale. TikTok zotërohet nga ByteDance, një kompani teknologjike kineze. Shtëpia e Bardhë thotë se ka frikë se të dhënat e përdoruesve po dërgohen në Kinë, ku Big Brother mund t’i spiunojë, dhe se algoritmi që zgjedh videot është i cenueshëm nga manipulimi kinez.

Dizajnet e Arm përdoren në të gjithë botën, sidomos në Amerikë dhe Kinë, dy tregjet e saj më të mëdha. Qeveria e Britanisë shqetësohet se një blerje e tillë do të çojë në zhvendosjen e veprimtarisë kryesore jashtë vendit (në vitin 2016 Arm u ble nga SoftBank, një kompani japoneze, e cila premtoi ta mbante bazën e firmës në Britani deri në vitin 2021). Një shqetësim tjetër është se nën pronësinë amerikane, Arm nuk do të jetë më një furnizues “neutral”, por do të kthehet në një instrument të regjimit të sanksioneve të qeverisë amerikane.

Historia dhe gjeopolitika

Gjatë historisë, kompanitë janë përshtatur me gjeopolitikën. Në epokën e globalizimit të lirë, që nisi në vitet 1980, u përhap ideja e gjerë se të gjitha kompanitë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga kombësia e tyre. Kjo e bënte efikas funksionin e një firme globale me një menaxhim, strukturë kapitali dhe sistem prodhimi unitar.

Në të kundërt, vitet 1930 dhe 1940 u shënuan nga luftërat dhe proteksionizmi. Bizneset si General Motors u përgjigjën duke lejuar që operacionet e tyre të huaja të bëhen gjysmë-autonome. Në vend që të bashkoheshin, shumë firma bashkëpunuan përtej kufijve nëpërmjet aleancave dhe karteleve.

Marrëveshja e propozuar për TikTok tregon sesi biznesi po shkon në drejtimin e viteve 1930. Megjithëse detajet nuk janë ende publike, pronësia e firmës ndoshta do të ndryshojë, me aksionerë amerikanë në krye dhe ndoshta Oracle dhe Walmart, do të mbajnë një pjesë të madhe të aksioneve minoritare, mbase duke pasur të drejtën e vetos mbi disa vendime.

Vendndodhja e aseteve kryesore do të zhvendoset, selia do të caktohet në Amerikë dhe Oracle do të menaxhojë nga atje ruajtjen e të dhënave (dhe monitorimin e algoritmit). Ndërkohë, firma Arm e ka ndryshuar një herë strukturën e saj për shkak të gjeopolitikës: në vitin 2018, ajo shiti 51% të aksioneve në operacionin e saj në Kinë kryesisht tek investitorët kinezë, përfshirë fondet e mbështetura nga shteti.

Tani kompania mund të përballet me një metamorfozë të re. Për shembull, qeveria britanike, mund të kërkojë garanci të mëtejshme ligjore se kompania drejtohet në mënyrë autonome në Britani. Kjo do të ishte pjesë e një shtyse për të forcuar bazën industriale të vendit, e cila ka shkaktuar një konflikt me Bashkimin Europian.

Kufizimet

Këto ndryshime korporative kanë kufizime të dukshme. Politikanët kanë pushtet absolut: Presidenti Donald Trump duket se favorizon Oracle (kryetari i të cilit, Larry Ellison, është një mbështetës i Trump), në vend të ofertës nga Microsoft, e cila në fakt, kishte më tepër kuptim nga ana komerciale. Zoti Trump tani mund të kërkojë më shumë koncesione dhe çdo marrëveshje do të ketë nevojë për miratim nga regjimet e reja të zgjeruara të shqyrtimit të investimeve në Amerikë dhe Kinë.

Ndarja e bizneseve në sisteme influencash kombëtare i dyfishon kostot dhe për shkak të strukturave komplekse mund të mos jetë e qartë se ku qëndron kontrolli. Arm është përfshirë në një mosmarrëveshje të ashpër me një ekzekutiv kinez mbi faktin se kush është me të vërtetë përgjegjës për ndërmarrjen e saj kineze.

Sidoqoftë, do të ketë më tepër manovra të tilla shumëkombëshe teksa globalizmi venitet. Qeveria e Australisë po kërkon që Rio Tinto, një firmë minerare globale e prirur ndaj skandaleve, të drejtohet nga një australian. Firmat europiane të teknologjisë mund të degëzohen, me një linjë prodhimi që u shërben klientëve kinezë dhe një tjetër atyre amerikanë. Kompanitë kineze mund të jenë të detyruara të kënaqen me blerjen e aksioneve minoritare jashtë vendit, jo me kontroll të plotë.

Firmat e dëmtuara nga sanksionet – si Huawei – mund të shpërbëhen, dhe prona e tyre intelektuale dhe njerëzit më të mirë mund të migrojnë tek konkurrentët që nuk përballen me kufizime të tilla. Gjeopolitika po e shtrembëron biznesin global në një formë më pak efikase dhe më pak të lirë. Kjo është vërtet e trishtë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ke një këngë e cila të ka mbetur në mendje, por nuk i gjen dot titullin? Google tashmë ka një opsion që mund t'ju ndihmojë të kujtoni tit

Është koha për të krijuar një konkurrencë të re me TikTok.

Kompania Microsoft tha të martën se kishte çaktivizuar më shumë se 90 për qind të pajisjeve të përdorura nga një bandë kriminelësh kibern

Gjigandi i mediave sociale, Twitter, ka mbyllur një numër të madh llogarish që dyshohet se ishin false, të cilat mbështesin Presidentin e

Apple prezantoi katër iPhone të rinj të pajisur me teknologjinë për të përdorur rrjetet me të shpejta 5G.

Rrjeti social Facebook njoftoi se do t’i ndalojë postimet që mohojnë ose shtrembërojnë Holokaustin.

Kompania e teknologjisë Apple ka njoftuar se do të mbajë ngjarjen më te madhe të saj, në të cilën do të bëhet lançimi i produktit të viti

Në Eventin ‘Galaxy Unpacked for Every Fan’ më 23 shtator, Samsung prezantoi pajisjen e tij të fundit Galaxy: Galaxy S20 FE, i projektuar

Kompania e famshme e Facebook do të fillojë përfshirjen e më shumë veçorive të Messenger në bisedën brenda aplikacionit të Instagram, për

Aplikacioni WhatsAp po punon për një veçori sekrete të vetëshkatërrimit, që fshin fotot dhe videot nga telefoni i marrësit.