Politika e re WhatsApp ka shkaktuar një valë të madhe shkarkimesh të aplikacionit SIGNAL ditët e fundit. Aplikacioni i mesazheve të menjëhershme ka filluar të zbatojë ndryshimet e tij në të gjithë botën, duke informuar përdoruesit e tij përmes njoftimeve në vetë sajtin.

Përdoruesit nga e gjithë bota kanë kërkuar një alternativë ndaj aplikacionit të zotëruar nga Facebook pasi doli në dritë se politika e re synon që të dhënat e përdoruesve të WhatsApp të ndahen me pjesën tjetër të shërbimeve të kompanisë.

Një ndryshim i detyrueshëm për të gjithë përdoruesit nëse duan të vazhdojnë të përdorin aplikacionin. Një nga personazhet që ka qenë kundër kësaj politike të re ka qenë Elon Musk.

Themeluesi i Tesla ka inkurajuar ndjekësit e tij të shkarkojnë një tjetër aplikacion për mesazhe. Përmes një komenti në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, Musk ka qenë shumë i qartë me qëllimet e tij: “Përdorni SIGNAL”.