Rrjeti më i madh social Facebook, ka paralajmëruar se do të bllokojë shpërndarjen e lajmeve në platformën e saj në Australi. Paralajmërimi vjen pas një projektligji që po diskutohet nga autoritetet australiane, që e detyron Facebook të paguajë për artikujt e lajmeve që shpërndahen në rrjetin social.

Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorëve kërkon që gjigandët e teknologjisë si Google dhe Facebook të paguajnë për postimet që shpërndahen. Facebook thotë se nëse ky draft bëhet ligj, atëherë australianët nuk do të lejohen të postojnë lajme në Facebook dhe në rrjetin tjetër social Instagram, që është në varësi të tyre.

Por Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorëve deklaron se këto rregulla që kërkon të aplikojë, bëhen për të vendosur balancë, për shkak të humbjes së të ardhurave nga reklamat. Duke ju përgjigjur Facebook, ky ent rregullator thotë se rrjeti social është keqkuptuar.

“Kodi synon që të vendosë drejtësi dhe transparencë në marrëdhëniet e Facebook dhe Google me kompanitë mediatike australiane”, deklaron Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorëve.

Ndërsa disa ekspertë argumentojnë se firmat teknologjike, si Facebook apo Google, duhet të paguajnë kompanitë mediatike për lajmet me përmbajtje cilësore që ripostojnë në platformat e tyre.