Rrjeti social më i madh në botë, Facebook, planifikon disa ndryshime shumë të rëndësishme. Sipas themeluesit Mark Zuckerberg, Facebook do të shpërndajë gjithmonë e më pak postime nga bizneset, mediat apo markat e ndryshme.

Në vend të kësaj, rrjeti social do shpërndajë më shumë postime të familjarëve dhe miqve. Shumë organizata e kompani që kanë faqet e tyre në FB do të njohin një ulje të ndjeshme të popullaritetit të tyre, bëri të ditur rrjeti social.

Ndryshimet do zbatohen në javët në vazhdim.

“Ne kemi marrë reagime nga komuniteti ynë për përmbajtjen- postimet nga biznesi, markat dhe media po mbushin momentet personale, që na bëjnë të lidhemi më shumë me njëri-tjetrin”, tha Zuckerberg.

Nëse përmbajtja publike do promovohet, ajo duhet të shihet që të inkurajojë diskutimet në komunitet. Zuckerberg e pranon se njerëzit do kalojnë më pak kohë në FB, por ajo do jetë kohë e çmuar.

Duket se ky ndryshim është nxitur edhe nga fakti se në këtë rrjet social kanë qarkulluar shumë lajme false. BBC shkruan se FB ka qenë në mes të zjarreve për këtë çështje. Po ashtu FB është kritikuar se ndikon negativisht në mirëqenien e njerëzve.

Dave Lee i BBC thotë se duket se FB po kthehet në origjinë, duke u përqendruar më shumë tek miqtë dhe familja, sesa tek artikujt që shpërndahen.