Google Translate është platforma më e përdorur nga lundruesit e internetit që kërkojnë një përkthim të shpejtë në dhjetëra gjuhë të ndryshme.

Një javë më parë, kompania globale e teknologjisë, shtoi pesë gjuhë të reja në platformën e përkthimit duke e çuar numrin e plotë të gjuhëve të huaja në 108.

Gjuhët e reja që janë futur në platformën e përkthimit janë: Kinyarwanda, Odia, Tatar, Turkmen, dhe Uyghur. Këto gjuhë të huaja mund të tingëllojnë të çuditshme e të lashta. Megjithatë, të pesë gjuhët përdoren nga 75 milionë njerëz në botë.

Problemi me këto gjuhë deri tani ka qenë burimet njerëzore dhe ato të informacionit për të mundësuar përkthime të shpejta dhe të sakta. Google Translate u hodh në internet për herë të parë në prill të vitit 2006.

Ai përdoret nga më shumë se 500 milionë njerëz dhe përkthen 100 miliardë fjalë në ditë. 92 përqind e përdoruesve të platformës janë jashtë Shteteve të Bashkuara.

Përkthimet më të kërkuara janë nga Anglishtja në Arabisht, Rusisht, Portugalisht dhe Indoneziane. Megjithatë, vetë kompania nuk e përdor platformën e saj për përkthime dhe ka më shumë se një arsye për këtë.